Deputeti socialist, Pandeli Majko i ka dërguar shkresë zyrtare Shërbimit Informativ duke i kërkuar që t’i vendosin në dispozicion çdo informacion lidhur me akuzat e kreut të PD, Sali Berisha ndaj tij se është përgjuar nga SHISH.
Pandeli Majko shprehet në letrën drejtuar SHISH se si deputet ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij.
Ai i kërkon informacion zyrtar SHISH, pasi sipas Berishës Majko u përgjua nga SHISH duke bërë biseda për blerje votash në 3 qytete.
Këtë pretendim kryetari I PD nuk e shoqëroi e ndonjë provë shkresore, zanore apo filmike të cilat do të mund të merrnin vlerën e provës për t’u hetuar nga SPAK, prokurori e cila ka tagrin e hetimit të çdo krimi elektoral.
Shkresa e Pandeli Majkos:
Të nderuar
Në referencë të akuzave publike të deputetit z. Sali Berisha, në konferencën e tij për shtyp të datës 06.01.2025, ndërmjet të tjerash ai pretendonte se në bazë të një informacioni të SHISH, Unë Pandeli Majko jam vënë në përgjim nga institucioni Juaj.
Me cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë si dhe në bazë të Ligjit nr.8550, datë 18.11.1999 “Për Statusin e Deputetit” e konkretisht të nenit 8 në të cilën thuhet se:
1. Deputeti ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij, nga ministrat ose nga drejtuesit e institucioneve të tjera qendrore, si dhe nga drejtuesit e çdo institucioni tjetër në administratën publike ose të qeverisjes vendore
2. Drejtuesit e institucioneve të përmendura në pikën 1 të këtij neni janë të detyruar t’i përgjigjen deputetit brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.
3. Në rast shkeljeje të pikës 2 të këtij neni, njoftohet Kryeministri për të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse. Në rastet e enteve apo institucioneve të tjera qendrore, njoftohet organi prej të cilit ato janë zgjedhur.” lutem më vini në dispozicion, konfirmimin Tuaj nëse ekzsiton një përgjim i tillë dhe nëse po, vënien në dispozicion të saj dhe të cdo informacioni tjetër i cili ka lidhje me emrin Tim.
Bashkelidhur, Fotokopje e deklaratës së deputetit Sali Berisha.
DEPUTETI Pandeli MAJKO
Top Channel