Ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare politikani i njohur i ekstremit të djathtë në Francë, Jean Marie Le Pen.
Le Pen, i cili kishte qenë në një institucion përkujdesjeje për disa javë, vdiq mesditën e sotme “i rrethuar nga njerëzit e tij të dashur”, thuhet në një deklaratë të familjes. Një mohues i bindur i Holokaustit dhe ekstremist i papenduar për racën, gjininë dhe emigracionin – Le Pen ishte ai që themeloi partinë e ekstremit të djathtë francez Fronti Kombëtar në vitin 1972. Që prej zgjedhjes asokohe si deputeti më i ri në vend, ai do të ishte i pranishëm në çdo fazë të historisë së pasluftës së ekstremit të djathtë francez.
Për dekada me radhë, Jean Marie Le Pen ka qenë figura politike më e diskutueshme në vend. Kritikët e tij e përshkruan si një fanatik të ekstremit të djathtë dhe gjykatat e dënuan disa herë për komentet e tij radikale. Në vitin 2015, u përjashtua nga radhët e partisë që vetë kishte themeluar për shkak se përsëriti mohimin e vet famëkeq të Holokaustit. Shkarkimi erdhi gjatë një grindjeje publike me të bijën, Marine, e cila e akuzoi se këtë përsëritje të deklaratës polemizuese, ai e kishte bërë në përpjekje për të “shpëtuar veten nga errësira”.
Marine Le Pen mori drejtimin e partisë në vitin 2011, dhe që prej atëherë është përpjekur ta reformojë, teksa i ndryshoi edhe emrin në Tubimi Kombëtar, duke e kthyer në një nga forcat kryesore politike të Francës sot.
Top Channel