Donald Trump trazon botën: Do përdorim edhe forcën për të marrë Kanalin e Panamasë dhe Groenlandën

07/01/2025 20:45

Vetëm tre orë pasi djali i tij dhe një delegacion këshilltarësh mbërritën në Groenlandë, Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump, ka deklaruar të martën se nuk e përjashton përdorimin e forcës ushtarake për të marrë kontrollin e Groenlandës dhe Kanalit të Panamasë. Ai theksoi se kontrolli i SHBA-së mbi të dyja është jetik për sigurinë kombëtare amerikane.

Duke folur me gazetarët më pak se dy javë para se të marrë detyrën më 20 janar, Trumpi ka lënë të hapur mundësinë e përdorimit të ushtrisë amerikane për të siguruar të dy territoret, raporton AP.

“Unë nuk e përjashtoj këtë”, ka thënë ai kur është pyetur nëse do të përdorte ushtrinë.

“Mund të ndodhë që duhet bërë diçka. Kanali i Panamasë është jetik për vendin tonë. Ne kemi nevojë për Groenlandën për qëllime të sigurisë kombëtare”, ka shtuar Trumpi.

Groenlanda është një territor autonom i Danimarkës, një aleat i vjetër i SHBA-së dhe një anëtar themelues i NATO-s.

Republikani Trump ka kërkuar po ashtu që Kanadaja të bashkohet me Shtetet e Bashkuara.

Ai ka thënë se nuk do të përdorte forcën ushtarake për ta bërë këtë, duke thënë se do të mbështetej në “forcën ekonomike”.

Trumpi ka deklaruar po ashtu se dëshiron të riemërtojë Gjirin e Meksikës në “Gjiri i Amerikës”.

“Kjo mbulon shumë territor, Gjiri i Amerikës – sa emër i bukur dhe i përshtatshëm”, është shprehur ai teksa fliste para gazetarëve në Mar-a-Lago.

Presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump, ka paralajmëruar sërish se nëse pengjet izraelite që ende mbahen në Gaza nuk lirohen deri në kohën e inaugurimit të tij, më 20 janar, “i gjithë ferri do të shpërthejë në Lindjen e Mesme”.

“Nuk do të jetë mirë për Hamasin dhe nuk do të jetë mirë, sinqerisht, për askënd”,  deklaroi republikani.
Ai kaloi edhe përtej oqeanit ku tha se anëtarët e NATO-s duhet të shpenzojnë 5% të PBB (prodhimit të brendshëm bruto), një rritje e madhe nga qëllimi aktual prej 2%.

“Mendoj se NATO duhet ta ketë 5% tarifën. Të gjithë mund ta përballojnë, por duhet të shpenzojnë 5%, jo 2%”, tha Trump.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA