Situata politike në Austri, FPÖ ngarkohet me formimin e qeverisë

07/01/2025 13:15

Në Austri po bëhet gjithnjë e më i mundshëm një koalicion mes populistëve të djathtë FPÖ dhe konservatorëve të ÖVP.

Presidenti Federal ngarkoi udhëheqësin e FPÖ, Kickl për të formuar një koalicion me konservatorët.

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, ngarkoi zyrtarisht kreun e partisë populiste të djathtë FPÖ, Herbert Kickl, me formimin e qeverisë së re. “Kam besim se zoti Kickl do të gjejë zgjidhje të qëndrueshme në kuadër të bisedimeve për krijimin e qeverisë. Dhe ai dëshiron ta marrë mbi vete këtë përgjegjësi. Prandaj e ngarkova të fillojë bisedimet me partinë ÖVP për të formuar një qeveri federale,” tha presidenti austriak. Van der Bellen tha se udhëheqësi i FPÖ-së do t’i raportojë vazhdimisht për ecurinë e bisedimeve me ÖVP-në.

“Nuk e pata të lehtë të hidhja këtë hap dhe do të vazhdoj të mbikqyr që parimet dhe rregullat e kushtetutës sonë të respektohen dhe zbatohen në mënyrë korrekte” – tha presidenti van der Bellen.

FPÖ doli partia më e fortë në zgjedhje
Partia Austriake e Lirisë (FPÖ) fitoi qartë zgjedhjet parlamentare tre muaj më parë, por fillimisht u injorua në bisedimet e koalicionit për shkak të mosgatishmërisë së partive të tjera për të bashkëpunuar me populistët e djathtë. Partia konservatore ÖVP (Partia Popullore Austriake), e cila më parë ishte kundër partisë FPÖ, njoftoi pas negociatave të dështuara me partitë e tjera se tani do është në dispozicion për bisedime për koalicion me partinë populiste të djathtë FPÖ.

Qëndrim i ashpër ndaj emigracionit, skeptik ndaj BE-së
Nëse pas bisedimeve arrihet një marrëveshje, hapet rruga për kancelarin e parë të Austrisë nga radhët e FPÖ. 56-vjeçari Kickl, i cili gjatë fushatës zgjedhore u pozicionua si “kancelar i popullit”, njihet ndër të tjera për një politikë jashtëzakonisht të rreptë ndaj emigracionit e cila përfshin edhe dëbime në shkallë të gjerë si dhe për qëndrimin e tij miqësor ndaj Rusisë.

Po ashtu Herbert Kickl ka si dhe partia e tij një orientim skeptik ndaj BE-së. Në të kaluarën ai quante politikën e BE-së si “të çuditshme dhe të vetëkënaqur”. Programi zgjedhor i FPÖ parashikon një reduktim të kompetencave të institucioneve të BE-së dhe bën thirrje për një “kështjellë Austri” brenda zonës Shengen.

Sipas politologëve mes FPÖ dhe ÖVP ka përputhje të madhe lidhur me politikën ekonomike, politikën për azilin dhe politikën arsimore. Kurse sa i përket qëndrimit ndaj BE-së, politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë mes dy partive ka mospërputhje të forta. /dw

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA