SHBA i hap rrugën bashkëpunimit bërthamor civil me Indinë

07/01/2025 16:53

Administrata e Presidentit Biden hoqi të hënën kufizimet ndaj Indisë në fushën e energjisë bërthamore, që përkoi me vizitën e këshilltarit të sigurisë kombëtare Jake Sullivan në Nju Deli.

Zoti Sullivan e cilësoi bashkëpunim Indi-SHBA “jetik” për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajonin e Indo-Paqësorit. Ekspertët e sigurisë presin që bashkëpunimi me Indinë të vazhdojë edhe gjatë presidencës së republikanit Donald Trump.

Ambiciet e Indisë për energji bërthamore përballen me më pak kufizime tani, tha këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, në Nju Deli.

“Shtetet e Bashkuara tani po finalizojnë hapat e nevojshëm për të hequr rregulloret e vjetra që kanë penguar bashkëpunimin bërthamor civil midis entiteteve kryesore bërthamore të Indisë dhe kompanive amerikane. Dokumentet zyrtare do të miratohen së shpejti dhe kjo do të jetë një mundësi për të tejkaluar disa nga fërkimet e së kaluarës”, tha ai.

Rregullat indiane më parë krijonin pengesa për kompanitë amerikane që shpresonin të ndërtonin termocentrale në Indi, sepse sipas tyre përgjegj[sia në rast aksidentesh binte mbi ndërtuesin ose furnizuesin e termocentraleve bërthamore.

Presidenti Joe Biden i ka ngritur në nivel më të lartë marrëdhëniet e Uashingtonit me Nju Delin. Në shtator ai priti kryeministrin Narendra Modi në shtëpinë e tij për mbledhjen e parë të udhëheqësve të katër vendeve, që synojnë të jenë si kundërpeshë ndaj Pekinit.

Analistët në Uashington thonë se vizita e zotit Sullivan filloi me një njoftim të rëndësishëm mbi bashkëpunimin në sektorët e hapësirës, mbrojtjes dhe fusha të tjera, që synojnë të theksojnë për administratën e ardhshme amerikane rëndësinë që kanë marrëdhëniet me Indinë.

“Mendoj se kjo vërtet thekson me forcë faktin se India ka përparësi të madhe, madje më të madhe se disa nga partneritetet tona të tjera”, thotë eksperti Rick Rossow nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Partneriteti është rritur pavarësisht dallimeve mes dy vendeve mbi çështjet si lidhjet e vazhdueshme të Indisë me Moskën pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Eksperti amerikan Rossow beson se bashkëpunimi në fushën e sigurisë do të vazhdojë dhe ai përmend raportin e mirë personal të Presidentit të zgjedhur Trump me kryeministrin indian Modi. Tensionet këtë radhë mund të jenë në sferën ekonomike.

“Do të keni më pak mbështetje për investimet e jashtme, shumë më tepër trysni ndaj Indisë për të blerë mallra amerikane, si hidrokarbure apo pajisje të mbrojtjes, mbi të cilat qeveria e Indisë në fakt ka kontroll. Pra, ana ekonomike është ajo ku unë jam pak më i shqetësuar. Mendoj se India do të jetë më mirë se shumë nga partneritetet tona kryesore në katër vitet e ardhshme”, thotë ai.

Dy vendet po i forcojnë këto marrëdhënie në janar. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA