Parandalohet konflikti me armë zjarri në Durrës! Arrestohet 35-vjeçari, kishte kallashnikov në lokal

07/01/2025 09:02

Një konflikt i ndodhur në një lokal në lagjen nr. 13 të Durrësit për pak sa nuk u përshkallëzua në dhunë me armë zjarri, por ndërhyri policia. 

Operacioni policor i koduar “Momentum” çoi në neutralizimin e situatës dhe arrestimin e një personi të armatosur.

Gjatë patrullimeve për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, policia konstatoi një konflikt verbal mes disa personave në ambientet e lokalit. Menjëherë pas ndërhyrjes, efektivët zbuluan se njëri prej të përfshirëve, shtetasi Geront Vrioni, 35 vjeç, banues i Plazhit, kishte me vete një armë zjarri të llojit kallashnikov.

Blutë e arrestuan 35-vjeçarin në flagrancë, ndërsa arma e zjarrit u sekuestrua. Ai akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit.”

Sipas burimeve zyrtare, grupi hetimor po punon për të zbuluar shkakun dhe rrethanat që çuan në këtë konflikt, ndërsa materialet i janë dorëzuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA