Fiks Fare/ 28 vite pas tragjedisë së Otrantos, familjarët e viktimave: Shteti shqiptar na ka braktisur, italianët u tallën me ne!

07/01/2025 20:50

Fiks Fare denoncoi sorollatjet gati 28 vjeçare të familjarëve të viktimave nga tragjedia e Otrantos, ku humbën jetën 81 persona, 24 prej të cilëve nuk janë gjetur edhe sot e kësaj dite. Ata thanë për emisionin investigativ se ndihen të braktisur nga shteti shqiptar, ndërkohë që sipas tyre avokatët dhe drejtësia italiane është tallur me ta.

Ata pohojnë se gjyqet kanë vijuar për vite me radhë, teksa 80 trashëgimtarë as nuk u futën te lista e atyre që duhet të dëmshpërbleheshin. Familjarët pohojnë se edhe avokatët shqiptare kanë përfituar nga kjo tragjedi, teksa kërkojnë ndihmë që çështjen ta çojnë në Strasburg. Por, sërish shteti shqiptar nuk i ndihmon!

Në marsin që vjen, mbushen plot 28 vite nga tragjedia e Otrantos. Ngjarja ndodhi në datën 28 mars 1997, ku anija shqiptare “Katri i Radës”, u përmbyt në Ngushticën e Otrantos nga forcat detare italiane. Në bordin e anijes ishin rreth 140 persona, nga ku 81 humbën jetën. Anija kishte si destinacion Brindisin, Itali, me qëllim të një jete më të mirë. Pjesa më e madhe e të mbyturve ishin gra dhe fëmijë që gjendeshin në ambientet e brendshme të anijes dhe s’patën asnjë shans që të shpëtonin.

Për të shmangur hyrjen ilegale të emigrantëve, forcat detare italiane proceduan në mënyrë të menjëhershme për të bllokuar anijen, por gjatë ndërhyrjes anija italiane “Sibilla” u përplas me “Katrin e Radës” duke e mbytur atë.

Familjarët e viktimave u mblodhën në Vlorë, ku Fiks Fare intervistoi disa prej tyre. Hetija Kaja ka humbur djalin 22 vjeç në atë kohë. “E kam pritur 5 vite, s’kam dalë asnjë ditë nga shtëpia. Tani kur po shkon 28 vite edhe gjakun po ia pinë. Asnjë qeveri s’na është gjendur pranë, na kanë gënjyer dhe këto të shoqatës, që nga avokatja e parë Natasha Shehu por edhe Pushime Çala. Disa na kanë marrë firmat, i kanë çuar te avokatët në Itali, Polverini apo edhe Ëngjëll Agaçi. Ky e la sapo u bë këshilltar i Ramës. E mori italiani, por shumë s’i ka futur. Unë s’kam përfituar gjë” thotë Hetije.

Ndërkohë, Murat Ferko ka humbur bashkëshorten dhe 2 djemtë. “Ka ardhur ajo Natasha na ka dhënë ca para dorazi. Iku ajo dhe erdhi Pushimja. Sërish asnjë zgjidhje. Ne vetëm drejtësi kërkojmë si dhe ndihmë nga shteti. S’e kemi marrë deri tani” pohon Murati.

Fiksi bisedoi edhe me Vitore Tahirajn, e cila nga tragjedia ka humbur bashkëshortin. “Ai ndihmoi dy fëmijë që ndodheshin në atë anije. Ma kanë treguar të mbijetuarit. Tani na thonë se burri jot s’ishte atje. I kemi çuar dokumentet, të gjitha. Tani Apeli i Leçës nuk na dha shpërblimin. Asnjë zyrtar i Shqipërisë nuk erdhi asnjëherë në proces. Ne vetëm shpenzimet lart e poshtë Shqipëri dhe Itali i kemi lënë ato që do merrnin” thotë ai.

Ganimete Deliaj ka humbur vëllanë, nusen e vëllait dhe nipin në atë kohë 16 vjeçar. “Na u mbyll një derë. Kemi bërë dhjetëra gjyqe. Njëherë na i dhanë. Mua më njohën si trashëgimtare. Nënën time jo. Ata kanë lënë edhe një fëmijë tjetër që ka pasur trauma nga ajo ngjarje dhe jeton me 130 mijë lekë të vjetra në muaj” pohon Ganimetja, teksa shton se të gjithë emrat e përmendur vetëm sa u pasuruan.

Ndërkohë, Elta Roshi ka humbur xhaxhanë dhe djalin e xhaxhait, në atë kohë vetëm 2 vjeç. “Ndërroi jetë babai im, që ndiqte çdo seancë dhe tani e ndjek unë me prokurë. Janë dhënë dy vendime, nga shkalla e parë dhe apeli në Leçe, ku vetëm një pjesë e vogël kanë fituar gjyqet” thotë Elta. Sipas saj, arsyeja përse i janë drejtuar Fiks Fare është se çështjen duan ta çojnë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Sipas Eltës, pjesa më e madhe e familjarëve të viktimave ka humbur gjyqet, dhjetëra të tjerë nuk janë përfshirë në padi për shkak edhe të emrave. Për këtë arsye, për një koordinim të mirë të të gjithë procesit, ata kërkojnë që t’i ndihmojë shteti, t’i asistojë me zyrë juridike apo edhe me nxjerrjen e të dhënave të sakta nga Gjendja Civile si dhe me korrespondencat me shtetin italian, ku dhe humbën proceset gjyqësore.

Fiks Fare kontaktoi me ministrinë e Drejtësisë, për mundësinë e ndihmës për ta çuar në Strasburg këtë çështje. Por, zyrtarët e këtij institucioni thanë se zyra e “Ndihmës Juridike Falas” është vetëm për brenda territorit të Shqipërisë. Fiksi iu drejtua edhe Avokatit të Popullit, por edhe nga ky institucion mori përgjigje se “e kanë të pamundur që t’i ndihmojnë në Strasburg”!

 

 

 

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA