Vijojnë bisedimet për armëpushim në Katar, Hamasi poston video të një pengu izraelit

06/01/2025 23:24

Hamasi ka postuar një video që tregon një nga pengjet izraelite duke i bërë thirrje qeverisë së Izraelit që të arrijë një marrëveshje ndërsa bisedimet për armëpushim mes palëve vijojnë në Katar.

Pamjet tregojnë një vajzë e identifikuar si Liri Albag. Ajo u mor peng së bashku me gjashtë ushtare të tjera femra në bazën ushtarake Nahal Oz gjatë sulmit të Hamasit në tetor të vitit 2023.

Njoftimi për bisedimet për armëpushim erdhi pasi Izraeli intensifikoi sulmet në Gaza. Ministria e Shëndetësisë së Gazës, e drejtuar nga Hamasi, tha të dielën se 88 persona ishin vrarë nga bombardimet e Izraelit gjatë 24 orëve të fundit.

Ushtria izraelite tha të dielën se kishte goditur më shumë se 100 pika ku janë të përqendruar terroristët e Hamasit gjatë dy ditëve të fundit dhe kishte eliminuar dhjetëra prej tyre.

Duke iu përgjigjur videos, prindërit e Liri Albag thanë se ishin të shkatërruar pasi panë vajzën e tyre në atë gjendje dhe i bënë thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu që të merrnin vendime sikur të ishin fëmijët e tij në atë situatë.

Në një telefonatë drejtuar prindërve të Lira Albag, presidenti izraelit, Isaac Herzog u tha se delegacioni izraelit do të qëndrojë në tryezën e bisedimeve derisa të gjitha pengjet të kthehen në shtëpi.

Zyrtarët izraelitë e kanë përshkruar publikimin e videove të tilla nga Hamasi si luftë psikologjike.

Muajin e kaluar, një zyrtar i lartë palestinez i tha BBC-së se bisedimet për të arritur një armëpushim dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve ishin kryesisht të përfunduara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA