U zhduk në 31 dhjetor, gjendet në një kontejner mbeturinash trupi i pajetë i gazetarit, raportoi për korrupsionin në ndërtim

06/01/2025 22:04

Trupi i pajetë i gazetarit investigativ indian, Mukesh Chandrakar është gjetur në një kontejner mbeturinash disa ditë pasi ishte shpallur i humbur nga autoritetet lokale.

Mukesh Chandrakar, 32 vjeç, ishte gazetar i pavarur në shtetin indian të Chhattisgarh. Ai raportoi për korrupsionin në industrinë e ndërtimit në kanalin e tij në YouTube, Bastar Junction.

Policia e gjeti trupin e tij të pajetë në një kontejner të shpërbërjes së mbeturinave, në distriktin Bijapur të Chhattisgarh. Chandrakar ishte shpallur i humbur që nga nata e Vitit të ri nga autoritetet lokale.

Në lidhje me ngjarjen policia ka arrestuar katër persona, duke përfshirë tre të afërm të tij, sipas raportimit të Sky News.

Vdekja e Chandrakar mendohet të jetë e lidhur me një hetim të tijin për një projekt ndërtimi rrugësh në rajonin e Bastarit. Hetimi i tij tërhoqi vëmendjen e qeverisë që më pas filloi një investigim më të thellë për rast të mundshëm korrupsioni.

Autopsia e trupit të gazetarit tregoi se ai kishte pësuar lëndime me sende të mprehta në kokë dhe brinjë, qafë të thyer dhe zemra i ishte nxjerrë barbarisht nga kraharori.

Këshilli Indian i Shtypit ka bërë thirrje që të kryhet një investigim i detajuar për rastin tragjik.

Vishnu Deo Sai, kryeministri i Chhattisgarh, tha se vdekja e Chandrakar ishte rast tepër pikëllues dhe premtoi se ata që janë përgjegjës për vdekjen e tij do të vendosen para drejtësisë dhe do të marrin dënimin maksimal.

India u rendit e 159-ta nga 180 vende për vitin 2024 në sondazhin për lirinë e shtypit nga World Press Freedom Index. Sipas shifrave mesatarisht tre ose katër gazetarë indianë vriten çdo vit për shkak të investigimeve që kryejnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA