Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka reaguar pas masës “detyrim paraqitje” për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Në një postim në rrjetin e saj social, Facebook, Topalli shprehet se ky është një vendim absurd nga drejtësia e politizuar. Më tej ajo thekson se arrestimi i kryedemokratit është pa baza.
Reagim i i plotë:
Një vendim absurd nga drejtësia e politizuar
Dje kemi qenë dëshmitarë të një tjetër vendimi politik nga sistemi i drejtësisë: detyrimi për paraqitje ndaj Sali Berishës, liderit të opozitës. Ky është një akt që sfidon logjikën juridike dhe parimet themelore të drejtësisë.
Ky vendim, i marrë kur hetimet janë mbyllur, nuk është thjesht i pa mbështetur ligjërisht; ai është një absurd juridik që sfidon çdo parim të shtetit ligjor.
Në fakt, absurdi ka shoqëruar çdo fazë të këtij procesi politik.
• Berisha është arrestuar pa akuza.
• Kryetari i opozitës është mbajtur në arrest shtëpie për 333 ditë, në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
• Është dënuar nga një gjyqtare e shkarkuar për korrupsion nga vetë Presidenti Berisha.
• Procesi ka nisur nga një ministër i qeverisë aktuale.
• Bazohet në një VKM kolegjiale të miratuar 20 vite më parë.
Me vetëm 4 muaj nga zgjedhjet, është e pamundur të mos e lidhim këtë proces me fushatën elektorale dhe përdorimin e drejtësisë nga pushteti aktual. Kjo është një “gjueti shtrigash” e orkestruar për të ndikuar në rezultatin zgjedhor.
Ironikisht, duke ndjekur këtë rrugë të gabuar, kundërshtarët e tij po e shndërrojnë Sali Berishën në një figurë të persekutuar padrejtësisht, e cila në vend që të dobësohet, fiton mbështetje dhe solidaritet. Historia ka treguar se padrejtësitë vetëm i forcojnë figurat si Berisha dhe i rrënjosin më thellë në ndërgjegjen publike.
“Kur drejtësia bëhet e politizuar, ajo humbet çdo lidhje me ligjin dhe shndërrohet në një mjet të pushtetit, duke cenuar themelet e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë.”
Drejtësia e politizuar nuk është drejtësi!
Top Channel