Berisha krahason veten me Trump: Masat e sigurisë për paraqitje në 5 gjykata në javë, i shtuan votat Presidentit

04/01/2025 15:01

Kryetari PD Sali Berisha në të parën konferencë për shtyp për 2025 vijoi qëndrimet akuzuese ndaj SPAK sikurse edhe në 2024.

Komentoi vendimin e gjykatës për tu paraqitur në prokurorinë e posaçme dy herë në muaj, vendim të cilin e vlerësoi si një krim kushtetues.

“Skapistët, të tmerruar nga krimi i tyre, kanë kryer një krim tjetër, që ju e keni të vështirë të imagjinoni. Kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë sepse Sali Berisha po sulmon SPAK-un dhe gjykatën, Irenën dhe Dumanin”, u shpreh Berisha.

Sidoqoftë, çështja është në Strasburg. Avokatët ia përcjellin Strasburgut edhe këtë vendim.

Pasi deklaroi se do ta respektojë vendimin e gjykatës hodhi këtë paralelizëm mes rastit të tij dhe përballjes me drejtësinë në SHBA të Donald Trump.

“Masat e sigurisë vetëm sa i shtuan votat presidentit Donald Trump! Gjykoj se do më ndihmojnë edhe mua A e pengoi gjë Donald Trumpin masa e paraqitjes së tij në 5 gjykata çdo javë? Përkundrazi i shtoi vota dhe i afroi fitoren. Kjo do të jetë edhe për Sali Berishën, të jemi të sinqertë, se ekziston sensi i të drejtës tek qytetarët dhe ky është një faktor që më ndihmon mua, sepse e shohin se çfarë regjimi është.”, shtoi Berisha.

Kryetari PD akuzoi qeverinë për tarifat që duhet të paguajnë qytetarët për të udhëtuar,  në një aks rrugor në veri të vendit.

“Një qytetar nga Hasi, Tropoja, edhe nga Kukësi, për të ardhur në Tiranë dhe për t’u kthyer duhet të shpenzojë të njëjtën shumë parash që shpenzon me EasyJet, Tiranë-Bruksel apo Tiranë-Budapest dhe ky është një qëndrim i bazuar në urrejtje, i bazuar në diskriminim racist ndaj atyre që nuk e votojnë Edi Ramën”, përfundoi kryedemokrati.

Zoti Berisha premtoi se PD nëse vjen në pushtet më 11 Maj, do heqë çdo taksë mbi rrugët e Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA