Autori që drejtoi mjetin Tesla Cybertruck që shpërtheu jashtë hotelit Trump në Las Vegas ishte një ushtar aktiv i forcave speciale amerikane dhe qëlloi veten para shpërthimit, thanë zyrtarët.
Policia e Las Vegas ka identifikuar Matthew Alan Livelsberger, 37 vjeç, nga Kolorado Springs në Kolorado, si shoferin e automjetit, të cilin e mori me qira më shumë se 800 milje larg dhe e çoi në hotelin e Nevadës në mëngjesin kur ndodhi dhe shpërthimi. Shtatë persona u plagosën kur automjeti i mbushur me bombola karburanti dhe fishekzjarrë, shpërtheu në ditën e Vitit të Ri.
Shkaku i vdekjes së Livelsberger ishte vetëvrasja me armë zjarri, sipas autoriteteve shëndetësore. Sherifi tha se hetuesit gjetën një letërnjoftim ushtarak, një pasaportë, dy pistoleta gjysmë automatike, fishekzjarre, një iPhone, një orë inteligjente dhe disa karta krediti në emrin e Livelsberger nga automjeti i djegur.
Livelsberger kishte dekada përvojë me ushtrinë amerikane, pasi kishte shërbyer si në Ushtri ashtu edhe në Gardën Kombëtare. Ai ishte një rreshter i dekoruar i Inteligjencës së Forcave Speciale, raporton BBC. Babai i Livelsberger tha për CBS News se djali i tij ishte në Kolorado për të parë gruan dhe vajzën tetë muajshe, ndërsa tregoi se për herë të fundit kishte folur me të për Krishtlindje.
Po ashtu, sipas policisë, dyshohet se ky incident në Las Vegas dhe një sulm me kamion në Neë Orleand që la pas 14 viktima mund të kenë lidhje me njëri-tjetrin, teksa që të dy ndodhën në ditën e Vitit të Ri. Të dy të dyshuarit shërbenin në Fort Bragg në Karolinën e Veriut, megjithëse nuk ka asnjë të dhënë se ata shërbenin në të njëjtën njësi ose ishin atje në të njëjtën kohë. Ata gjithashtu shërbyen në Afganistan në vitin 2009, por nuk ka asnjë provë se ishin në të njëjtin rajon apo njësi. Gjithashtu, të dy përdorën kompaninë Turo për të marrë me qira automjetet e përfshira në incidente./ BBC
Top Channel