Agresioni rus, Zelensky: Trump mund të luajë rol vendimtar për ndaljen e luftës në Ukrainë!

03/01/2025 18:55

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të enjten se Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump mund të luajë rol “vendimtar” për t’i dhënë fund luftës disavjeçare në mes Ukrainës dhe Rusisë.

“Trumpi mund të jetë vendimtar. Për ne, kjo është çështja më e rëndësishme”, deklaroi Presidenti Zelensky në një intervistë në televizionin ukrainas.

Presidenti Zelensky tha se zoti Trump i kishte thënë se ai do të ishte ndër të parët që do të zhvillonte vizitë në Uashington pas inaugurimit të Presidentit të zgjedhur, në fund të këtij muaji.

“Ai i ka këto cilësi”, tha Presidenti Zelensky për zotin Trump. “Ai mund të ketë rol vendimtar në këtë luftë. Ai është i aftë për ta ndalur Putinin, apo që ta them më drejt, për të na ndihmuar që ta ndalim Putinin”.

Në të kaluarën, zoti Trump ka deklaruar se ai do t’i jepte fund luftës në Ukrainës brenda një dite, por nuk ka ofruar asnjëherë detaje se si do ta bënte një gjë të tillë.

Komentet e zotit Zelensky erdhën ndërkohë që ushtria ukrainase ndërmori një sulm preciz të enjten ndaj komandës ruse në Maryino, në rajonin Kursk në brendësi të Rusisë.

“Këto sulme pengojnë kapacitetin e Federatës Ruse për të ndërmarrë veprime terroriste ndaj civilëve të pafajshëm ukrainas”, deklaroi ushtria ukrainase përmes një deklarate të shpërndarë në platformën Telegram.

Ushtria ruse tha se njësitë e saj për mbrojtjen ajrore rrëzuan katër raketa ukrainase në këtë rajon. Guvernatori rajonal tha se sulmet dëmtuan një ndërtesë shumëkatëshe banimi dhe ndërtesa të tjera në një fshat në afërsi.

Në një postim tjetër të ushtrisë ukrainase shiheshin regjistrime të asaj që ushtria tha se janë dëmtimet e një baze ruse në Ivanivskoye, që gjendet afër qytetit Maryino.

Një shkollë, një farmaci dhe një ndërtesë banimi ishin në mesin e objekteve të dëmtuara nga sulmi, njoftoi guvernatori rajonal i Kurskut, Alexander Khinshtein.

Zëri i Amerikës nuk arriti t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto njoftime.

Ukraina sulmoi territorin brenda Rusisë para pesë muajve. Forcat ukrainase vazhdojnë të jenë në rajonin e Kurskut, por ushtria ruse thotë se ka rimarrë shumë nga territori i humbur.

Ndërkohë, Rusia njoftoi se ka sulmuar infrastrukturën energjetike në Ukrainë përmes të cilës mbështetet kompleksi ushtarak industrial i Kievit.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se në 24 orët e fundit përdori avionë, dronë, raketa dhe artileri për të goditur infrastrukturën energjetike, bazat ajrore ushtarake dhe forcat ushtarake ukrainase në disa pika.

Zëri i Amerikës nuk arriti t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto njoftime.

Forcat ruse po avancojnë me shpejtësi në frontin lindor të Ukrainës.

“Ato po bëjnë trysni ndaj ushtarëve tonë, të cilët janë të lodhur, dhe ky është një fakt. Do të bëjmë çdo gjë që të paktën ta stabilizojmë këtë front në janar”, deklaroi Zelensky gjatë intervistës të enjten.

Ushtria ukrainase njoftoi të enjten se ka rrëzuar 47 dronë të forcave ruse gjatë natës në pjesën qendrore dhe lindore të Ukrainës.

Rusia angazhoi 72 dronë në këto sulme, sipas ushtrisë.

Sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase rrëzuan dronet ruse mbi Cherkasy, Chernihiv, Dnipropetrovsk, Kharkiv, Kherson, Kirovohrad, Kiev, Mykolaiv, Poltava, Odesa dhe në rajonin e Sumyt.

Zyrtarët në këto zona nuk njoftuan për dëme të mëdha.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të enjten se forcat e saj shkatërruan 13 dronë ukrainas, shumicën prej tyre përgjatë kufirit ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

Ndërkohë të premten, Rusia sulmoi me dron Kievin, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e katër të tjerëve, sipas autoriteteve vendase.

Sipas forcave ajrore ukrainase, Rusia sulmoi Ukrainën me 93 dronë gjatë natës, prej të cilave sipas autoriteteve ukrainase 60 dronë sulmues dhe 26 dronë të improvizuar u shkatërruan apo u interceptuan. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA