Një veteran i ushtrisë amerikane, i cili i ka vrarë 15 persona pasi e ka përplasur kamionin kundrejt një turme njerëzish në Nju Orllins, ka publikuar video në rrjete sociale vetëm pak orë para sulmit, dhe ka thënë se është inspiruar nga grupi ekstremist Shteti Islamik (IS) me dëshirën për të vrarë, ka thënë presidenti amerikan, Joe Biden.
Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka thënë se sulmin e 1 janarit është duke e hetuar rastin si terrorist dhe nuk beson që sulmuesi ka vepruar vetëm.
Sulmuesi është vrarë nga policia sapo është larguar nga kamioni.
Hetuesit kanë gjetur armë dhe atë që duket se është një pajisje shpërthyese e improvizuar në makinën e tij – në të cilën është gjendur edhe flamuri i IS-it.
Presidenti Biden ka thënë se FBI-ja i ka gjetur videot e postuara nga sulmuesi në rrjetet sociale.
Ai e ka përshkruar sulmin si “të neveritshëm” dhe “akt të urryer”.
Sulmi i ka shndërruar festimet për Vitin e Ri në rrugën Burbon në një skenë makabre, me trupa të përgjakur dhe këmbësorë tjerë duke ikur me shpejtësi nëpër restorante për t’u strehuar.
Përveç të vdekurve, mbi 30 persona tjerë janë plagosur.
Ky sulm përbën shembullin më të fundit të përdorimit të një makine për të kryer dhunë në masë dhe është sulmi më vdekjeprurës në tokën amerikane që është inspiruar nga IS-i në vjetët e fundit.
FBI-ja e ka identifikuar sulmuesin si Shamsud-Din Jabbar, 42-vjeçar, shtetas amerikan nga Teksasi, dhe ka thënë se po punon për të gjetur ndonjë lidhje të mundshme mes tij dhe organizatave terroriste.
“Ne nuk besojmë se Jabbar është përgjegjësi i vetëm”, ka thënë agjentja speciale e FBI-së, Alethea Duncan, në një konferencë për media.
Jabbar është thënë t’i jetë bashkuar ushtrisë amerikane më 2007, dhe ka shërbyer në sektorin për burime njerëzore dhe teknologji të informacionit, dhe ka qenë i angazhuar në Afganistan nga viti 2009 deri më 2010.
Ai është larguar nga detyra në ushtri më 2020 me gradën rreshter shtabi./REL
Top Channel