Osmani uron nga Mitrovica/ Presidentja e Kosovës viziton veriun e vendit. Falënderon policët në detyrë

31/12/2024 19:47

Në ditën e fundit të vitit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar Mitrovicën e Veriut.

Ajo ka takuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës në drejtorinë e rajonit të veriut. Osmani është ndalur edhe në sheshin e Mitrovicës së Veriut, nga ku, ka falënderuar policët për shërbimin e tyre.

“Në radhë të parë ishim në vizitë në drejtorinë e Policisë për t’i falënderuar policët e të gjitha komuniteteve për shërbimin e tyre të çdo ditshëm në interes të të gjithë qytetarëve në mbrojtjen e jetës dhe pronës së tyre. Për t’i inkurajuar ata që edhe kur ka netë festash dhe ata sakrifikojnë duke qenë larg familjes së tyre dhe për t’iu dhënë gjithë mbështetjen e mundshme institucioneve të Kosovës”, tha Osmani.

Në vizitën e saj në bizneset shqiptare, e para e shtetit ishte e shoqëruar edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Presidentja po ashtu ka uruar të gjithë qytetarët për festën e vitit të ri.

“Shfrytëzoj rastin që t’i uroj të gjithë qytetarët e Kosovës të të gjitha etnive për festat e fundvitit duke iu dëshiruar të gjithëve shëndet dhe prosperitet me shpresën që viti 2025 do t’i sjell të gjitha të mirat për shtetin tonë”, tha Osmani.

Osmani, vizitën e përfundoi në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicë të Veriut tek shtëpitë e ndërtuara për komunitetin shqiptar. Nga kjo lagje, Presidentja e Kosovës e ka përmbyllur vizitën e saj të parë që prej sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në rajonin e veriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA