Nga Artan Fuga
Ne jemi ose të vjedhur ose hajdutë,
ose të vjedhur – hajdutë njëkohësisht.
Pse vjedhim?
Në logjikat e sotme të shkencave sociale, pyetja që shpesh në gazetari quhet si kryesorja, pra pyetja : Pse? – konsiderohet një pyetje idiote.
Pa u zgjatur, kjo ndodh sepse epistemologjikisht asaj nuk mund t’i jepet përgjigje.
E megjithatë qoftë edhe brenda kufizimeve mund të gjenden përgjigje të pjesëshme, fare të pjesëshme.
Pse vjedhim kaq shumë?
Çfarë të na kapi dora, tendera, projekte, toka, lekë, buxhete publike, poste, statuse deputetësh, ministrash, kryetarësh bashkie, dyqane, lajmë parà me thasë, abuzime me detyrën, vjedhim uniforma, kapele, llaç, pemë, privatizojmë me grabitje ligjore, toka, përrenj, palestra, oborre shkollash, vjedhim asfalt rruge, fshehim të ardhura, batërdi.
Një arsye që mund t’i japë përgjigje pyetjes idiote : Pse? – është se në vitin e largët 1990, pjesë të gjëra të shoqërisë erdhën në pragun e demokracisë me një pyetje në kokë :
Cfarë do të vjedhim?
Pra, jo me pyetjen: Si ta zhvillojmë vendin? Por, Cfarë do të vjedh për vete?
Një nga arësyet ishte sepse në kohën e socializmit, a të diktaturës, a të totalitarizmit, vëreni emrin që doni dhe që dini, pak rëndësi ka, kishte një vjedhje masive dhe një korrupsion masiv. Si ndodhte, si ishin format, sa ishin sasitë, kjo ka pak rëndësi, e trajtojmë një herë tjetër. Por, ata që thonë se kishte më pak se tani, ja fusin kot dhe nuk kuptojnë dhe nuk dinë asgjë nga historia. Lëre nga shkencat sociale.
Vjedhjet e tanishme janë vazhdë e vjedhjeve të atëhershme, ose më mirë e mentalitetit të hajdutit, banditit, grabitësit masiv.
Punëtorët vidhnin në ndërmarrje çfarë gjenin, i kam parë me sytë e mi, vidhnin aq sa kishin krijuar një treg të dytë të zi. Vidhnin pedale biçikletash, mullinj kafeje, llokume, sheqer, vegla pune, rroba, lesh, çorape, brekë, shoje këpucësh, vida, çekiça, vaj makine, vaj ulliri, miell, gjithçka. Secili vidhte si miu nga mallrat që prodhonte fabrika ose uzina, kurse në kooperativë vidhej misri, bostani, mollët, dardhët, kumbullat, çfarë të zinte dora.
Prona e të gjithë ishte e asnjërit. Vidh të vjedhim. Dy të tretat e popullsisë u shndërruan në hajdutë xhepash ose të mirash publike.
Por, nuk ishte vetëm kjo. Korrupsioni dhe vjedhja, grabitja e tjetrit, u vunë në sistem, vidhnin shitësit, nëpunësit, fatorinot, pagesat nën dorë u bënë ligj, te mjeku, te berberi, te dentisti, kudo. Me një kile mish më tepër shitësi merrte bursë për çunin, me një kabinë plazhi merrej notë të shkëlqyer për vajzën, me ndonjë lek nën dorë merrje televizorin për vit të ri me autorizim, me ca kile recel, mish, bostan, kapje ndonjë vend pune, e kështu me radhë.
Nuk bëhej korrupsion vetëm me mallra, por edhe me trupin e njeriut, sidomos të femrave.
Shefi donte seks!
Vjedhja dhe korrupsioni ishte në sistem, vetë lufta e klasave ishte një vjedhje masive, vidheshin vendet për studim sepse ata me biografi të keqe ishin të përjashtuar. Ata me biografi të mirë u vidhnin shanset e jetës. Videshin postet, vendet e mira të punës, minatorëve u vidhej djersa e punës, fshatarëve gjithashtu. Shiteshin mallra koruptive me lidhje fisnore. Je kushuriri i filanit na autorizim për shtëpi, se filani është magazinier niseshteje dhe më sjell byrek, dhe me byreqet e mia, po t’ja jap shefit më çon çunin ushtar në një vend të mirë, etj.
Gjithçka trafik, e trafikuar. Me lekë në dorë, me trok, me të gjitha mjetet.
Psikologjia e hajdutit na solli në 1990 me pyetjen po tani çfarë të vjedh? Si t’ua fus të tjerëve masivisht?
Piramidat e vitit 1996 – 1997 ishin veç të tjerash një vjedhje masive e të gjithëve të gjithëve. Fusni lekë në fajde që të marr unë interesat e larta, sa më shpejt, para se të tjerët që kanë futur aty lekë, lopë, leshtë e kokës, t’i humbin të gjitha.
Një provokim na bëri kompetenti dhe të gjithë e shfaqëm natyrën tonë hajdute.
Por, psikologjia e hajdutit që ishte që nga magazinieri më i humbur deri te i pari i shtetit që grabiste me dorë të rëndë gjithçka për vete, u forcua në vitet e para 1990.
Pse? – Kësaj pyetje idiote do shumë kohë t’i vish anash, por mund të thuhet diçka.
Sepse pushteti i vjetër nuk mund të mbahej dhe riprodhohej pa mbështetjen e masave të mëdha hajdutësh, ose që i bëri hajdutë dhe nxiti korrupsionin. Vjedhja e pronës së tjetrit u ngrit në sistem. Vjedhja ishte baza e reformave. Dyqanet iu dhanë shitësve – vjedhje – tokat e kooperativave iu dhanë fshatarëve – vjedhje, ndërmarrjet shtetërore iu dhanë gjoja punëtorëve, në fakt drejtorëve socialistë të kthyer në demokratë – vjedhje, vjedhje, vjedhje, vjedhje.
Edhe bonot e privatizimit u zhvleftësuan, pra u vodhën. Korrupsioni dhe vjedhja ishte themeli i reformave që nisën në 1990.
Vjedhja socialiste u pasua nga vjedhja demokratike. Por, kjo vjedhje ishte edhe më e hershme. Vjedhje osmane.
Osmani na futi kulturën e bakshishit. Paguaje nëpunësin e sulltanit, se sulltani është larg, ky agai këtu të ka në dorë, të ka në dorë kadiu, mytesarifi, prefekti, etj.
Si thotë studjuesi i Ballkanit Braudel në Ballkan baza e sistemit shoqëror ka qenë që fushori punon e mbjell, rrit bagëti, vjen malësori, nga malet e Jugut a të Veriut rrëmben, grabit, plaçkit, e bën myzeqarin, zadrimorin, tironcin, durrsakun, korçarin, lanet, e kërdis.
Kohë të shkuara ato, tani edhe fushorin dhe malësorin e kanë vjedhur, madje me reformat e tokës dhe privatizimet ishte fushori që grabiti malësorin, e kërdisi.
E la malësorin me gisht në gojë. Dhe ky erdhi dhe grabiti toka në qytet.
Kështu e ka revolucioni.
Revolucioni është që i vjedhuri bëhet hajdut për të rrëmbyer atë që i kanë grabitur. Hajduti vjedh hajdutin! Dhe të gjithë hajdutët bërtasin : Kapeni hajdutin!
Ja pra vazhdimësia e hajdutllikut, e korrupsionit, e psikologjisë së hajdutit që nuk shqitet por riprodhohet. Vidh të vjedhim, grabit të grabisim ata që janë të ndershëm, ata që nuk kanë ç’të grabisin, ata që nuk kanë pushtet, ata që kanë dy fije nder në ballë dhe grabit c’mundesh, vota, pushtet, mandate deputetësh, vjedhje kur kërkojmë dhurata nga nxënësit për 7 marsin, vjedhje me korrupsion sheshe ndërtimi, fshehje të ardhurash, vjedhje trojesh, gjithçka të del përpara.
Psikologjia hajdute e kaçakut, psikologjia korruptive e Osmanit, hajdutlliku i masve në socializëm, vjedhja si bazë e reformave ekonomike në 1990, nisja me vjedhje e historisë së re, vjedhja e njeri tjetrit pa përjashtim në 1997, dhe tani kur SPAKU nuk di ku të vejë gishtin sepse çdo bajgë që të rrëmojë vjen era mut!
Larja e parave ka kapur gjithçka që nga sistemi i dijes, te shitja e librit, te vota, te kapja e vendeve të deputetit, te tenderat, madje edhe te marrja e diplomave, notave, vidhet gjithçka.
I thashë të gjitha këto sepse në prag të ndryshimit të viteve më kujtohet një vjershë që aty nga fundi i viteve ’60 e këndonim me zë të lartë në shkollë, për mësuesit që na vidhnim lekët e dhuratave:
Vit i Ri, o Vit i Ri,
Shumë të mira na sjell ti,
katër arra një biskot
50 lekshi iku kot.
Mbështetur te ekonomisti i madh i shekullit 19-të kritikuesi më i ashpër i Marksit mbi komunizmin, Prudhon, i cili thoshte se në origjinë çdo pronë është vjedhje, nis me vjedhje, këtë e kam faktuar në librat e mi:
Shoqëria Periferike (Botimet Papirus)
Shoqëria Piramidale (Botimet Papirus)
Që qarkullojnë edhe veçmas, por edhe janë bashkuar në dy vëllime te botimi :
Origjinat e pushtetit, pronës, pasurisë në Shqipërinë postkomuniste (Botimet Papirus)
Gëzuar Vitin e Ri të gjithë atyre që nuk e kanë gjelin e detit të vjedhur, ose të marrë me korrupsion!
Top Channel