Ndërrimi i viteve është festë në shtëpinë e të moshuarve.
Vëmendja dhe kujdesi shtohet. Teksa vizitat janë të shumta nga të njohur e të panjohur. Si dhe nuk mungojnë dhuratat mbi dëshirat apo nevojat e të moshuarve.
Atmosfera bëhet edhe më festive me këngë dhe kërcim; por mbi të gjitha me shumë dashuri.
“Kënaqemi kur vijnë festa se kemi organizime. Jemi shumë mirë, por vetëm dashuria për njerëzit tanë është e mërzitshme. Duhet të vijnë më shpesh për të na parë. Kur të japin një karamele të bëhet qejfi jo më një dhuratë. Festat na duhen më shumë se i kemi fëmijët në kurbet”.
Shtëpia e të moshuarve në Shkodër është kujdesur për të sjell gëzim në prag të ndërrimit të viteve, por organizimet e tyre nuk janë të mjaftueshme sipas drejtorit Fatjon Hoxha. Ai thotë se sytë e të moshuarve presin të shohin familjarët; e të dëgjojnë urimet prej tyre…
“Ne njëri tjetrin kemi këtu. I shohim si gjyshërit tanë. Mundohemi tua gëzojmë zemrën, por përfundimisht nuk i zëvendësojmë familjarët e tyre. Ndaj i bëjmë thirrje të afrohen, ti marrin në telefon, ti takojnë, të kalojnë festat me ta”, thotë Hoxha.
Top Channel