Berisha urim për vitin e ri: Këto 12 vite kanë qenë të mundimshme e sfilitëse, të bashkohemi në 2025-ën

31/12/2024 17:06

Kreu i PD, Sali Berisha ka uruar të gjithë shqiptarët në prag të vitit të ri 2025.

Ai shprehet se ky vit që po lëmë pas ka qenë sfidues për shumë qytetarë.

Mesazhi i plotë i Berishës:

Të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptarë pak orë na ndajnë nga viti i ri 2025, ndaj dhe nga zemra ju uroj ju kudo që festoni sonte në vatrat tuaja familjare, tek miqtë, shokë, në klube, restorante, në udhëtime apo në spitale dhe institucione të vuajtjes së dënimit. Kjo natë magjike pritet dhe festohet me shpresë të madhe për mbarësi dhe të mira në vitin 2025.

Në të vërtetë, viti 2025 nis me një ndryshim të madh.

Në Washington, pas tre javësh inaugurohet pushteti i ri i Presidentit, Donald Trump, i dalë nga zgjedhjet presidenciale.

Rikthimi në pushtet i presidentit Trump shënoi bllokimin e triumfit të ekstremit të majtë në SHBA. Bllokoi një agresion të vërtetë ndaj identitetit njerëzor, gjinisë, e pse jo dhe familjes.

Por viti 2025 pritet të jetë gjithashtu një vit paqeje, në të cilin konfliktet e ndezura të shuhen.

Pra, pritet një vit plot shpresa kudo në botë.

Po kështu, dhe në Shqipëri dallga e këtyre ndryshimeve nuk mund të përjashtojë Shqipërinë dhe shqiptarët. Shqipëria nuk mund të qëndrojë më vendi i qytetarëve që largohen masivisht prej saj. Nuk mund të qëndrojë më vendi i qytetarëve më të keq paguar në Europë.

Nuk mund të jetë Shqipëria më vendi ku nxënësit e shkollave vriten në derë të shkollës. Ku tritoli çan dyert e banesave, pasiguria është në shkallën më të lartë, dhe varfëria troket në çdo derë.

Shqipëria e vitit 2025 nuk mund të jetë Shqipëria e dhunës dhe terrorit ndaj opozitës, e burgosjes së liderëve të saj dhe deputetëve të saj. Nuk mund të jetë Shqipëria e izolimit, e censurës, e ndalimit të mediave sociale. Por do të jetë Shqipëria e qytetarëve të lirë, e lirive të respektuara dhe të drejtave të tyre.

Shqipërinë e 12 viteve që lamë pas e vuajtën shumë në tërësi shqiptarët. E vuajti rinia shqiptare, sepse ëndrrat e saj u bënë të pamundura për t’u realizuar në vendin e tyre.

E vuajtën qytetarët e këtij vendi që u zhytën gjithnjë e më shumë në varfëri. Pensionistët, që prekën mjerimin me pensionet e tyre. E vuajtën fermerët shqiptarë, që panë ekonomitë e tyre të falimentojnë në qindra dhe mijëra raste.

E vuajtën nënat, motrat, gratë shqiptare.

Këto 12 vite kanë qenë vërtet të mundimshme e sfilitëse për shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Dhe ato, në një mënyrë ose një tjetër, mund të kenë venitur edhe shpresat. Por kurrë nuk duhet të harroni se ne jemi shqiptarë dhe mësimi i madh i ekzistencës sonë është se për ne nuk ka gjëra të pamundura.

Ndaj dhe, le të bashkohemi që në vitin 2025, që koinçidon me 20-vjetorin e ardhjes së dytë në pushtet të Partisë Demokratike, të krijojmë një front të gjerë në mënyrë që të firmosim së bashku rotacionin, të firmosim së bashku ndryshimin, të rikthehemi në rrugën e demokracisë, begatisë dhe integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Është radha jonë! Është radha jonë! Është radha jonë!

Gëzuar Vitin e Ri 2025! Fitore!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA