A e dini se profesioni juaj mund të reduktojë rrezikun nga Alzheimer?

31/12/2024 18:23

Një studim i ri ka zbuluar se drejtuesit e taksive dhe ambulancave kanë norma më të ulëta të prekjes nga Alzheimer-i krahasuar me shumë profesione të tjera, duke sugjeruar një lidhje të mundshme midis punëve që kërkojnë kujtesë të lartë dhe rrezikut për demencë.

Këta shoferë duhet të mbajnë mend dhe të rikujtojnë me shpejtësi rrugët e qytetit, një aktivitet që kërkon një përdorim të intensifikuar të trurit.

Studimi, i kryer nga shkencëtarë në Mbretërinë e Bashkuar, zbuloi se shoferët e taksive në Londër kanë ndryshime funksionale në hipokampusin e trurit gjatë dekadave të punës, një rajon që është gjithashtu një nga të parët që preket nga sëmundja e Alzheimer-it. Hipokampusi luan një rol kyç në kujtesë dhe orientim hapësinor, dy aftësi që janë thelbësore për këto profesione.

Për studimin, të cilin e botuan në revistën shkencore “The BMJ”, hulumtuesit nga Shkolla Mjekësore e Harvardit analizuan të dhënat e rreth 9 milionë individëve që vdiqën në Shtetet e Bashkuara midis 2020 dhe 2022. Ata shqyrtuan shkallën e vdekjes nga Alzheimer për 443 profesione të ndryshme, përfshirë shoferët e autobusëve, pilotët e avionëve dhe kapitenët e anijeve, duke i krahasuar ata me shoferët e taksive dhe ambulancave.

Megjithatë, studiuesit theksuan se kjo lidhje nuk do të thotë domosdoshmërisht se puna ka shkaktuar uljen e rrezikut të Alzheimer-it. Ata paralajmëruan se është gjithashtu e mundur që individët që janë më të aftë në përpunimin dhe navigimin e informacionit gjeografik mund të kenë më pak mundësi të preken nga Alzheimer-i, duke e bërë këtë faktor një ndryshues potencial, pavarësisht profesionit./ TAR

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA