Nga sulmi i Banjskës, tek ai në kanalin e Ibër Lepencit e situata në vijimësi të brishtë, veriu i Kosovës rrëmbeu vëmendjen e ndërkombëtarëve këtë vit.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e cilësoi sulmin e Iber Lepencit si akt kriminal dhe terrorist, që synonte dëmtimin e infrastrukturës thelbësore të vendit, duke theksuar se ai është kryer nga profesionistë, prej bandash të dirigjuara e të orkestruara nga Serbia.

Shpërthimi u dënua me forcë nga Shtetet e Bashkuara, që e cilësuan një sulm të tmerrshëm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, që rrezikon vendin, furnizimin me energji elektrike, që rrezikon ngrohjen dhe furnizimin me ujë të pijshëm. Bashkimi Europian po ashtu foli për akt terrorist dhe bëri thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se vendi i tij ndodhet nën një sulm “hibrid”, që synon “të ngadalësojë” rrugën europiane të Serbisë. Vitit 2024 filloi dhe u mbyll me tensione në veri dhe rrjedhimisht me tensione ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe mospajtime ndërmjet qeverisë në Prishtinë me aleatët e saj perëndimorë.

Në muajin shkurt hyri në fuqi një vendim i Bankës Qendrore të Kosovës sipas të cilit, euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para në dorë në Kosovë. Vendimi ngriti shqetësimin e qytetarëve serbë që i marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë serbë. Beogradi reagoi me zemërim.

Diplomacia perëndimore u shpreh e zhgënjyer me atë që e quajti vendim të pa bashkërenduar të autoriteteve në Kosovë. Në fillim të muajit gusht policia e Kosovës mbylli po ashtu nëntë degë të Postës së Serbisë që vepronin pa licencë në veri të vendit. Në të njëjtën kohë, qeveria e Kosovës njoftoi diplomatët perëndimorë për planet e saj për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, që shënon edhe vijën ndarëse ndërmjet komunës veriore të banuar me shumicë serbe dhe asaj jugore me shumicë shqiptare.

Bashkimi Europian paralajmëroi në muajin gusht se mund të shtojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, nëse administrata në Prishtinë vazhdon me veprime të njëanshme e të pa bashkërenduara. Mospajtimet e qeverisë së Kosovës me aleatët rreth zhvillimeve në veri, nxitën përplasje edhe brenda vet institucioneve. Në një referencë të qartë të mospajtimeve, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme se cilido politikan apo një palë zgjedhjesh dhe se rrezikimi dhe cenimi i tyre, cenon vetë Kosovën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA