Gjeorgjia me dy presidentë! Mijëra protestojnë ndërsa u betua kreu i ri i shtetit, Mikheil Kavelashvili

29/12/2024 12:36

Mijëra protestues janë mbledhur në kryeqendër të Gjeorgjisë, Tbilisi, ndërsa presidenti i ri ka marrë detyrën.

Betimi i presidentit të ri, ish-futbollistit të Manchester Cityt, Mikheil Kavelashvili, që shihet si aleat i partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, u bë sot pa miratimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Presidentja aktuale Salome Zourabichvili (Zorabishvili), ka refuzuar të largohet nga detyra, duke e cilësuar zgjedhjen e presidentit të ri si jolegjitime.

Duke iu adresuar turmës së qytetarëve të mbledhur, Zourabichvili, tha se do të largohej nga pallati presidencial, por e quajti pasardhësin e saj të paligjshëm.

“Kjo ndërtesë ishte një simbol vetëm për sa kohë që këtu ishte ulur një president legjitim”, tha ajo.

Ëndrra Gjeorgjiane, që ka qenë në pushtet për 12 vjet, fitoi zgjedhjet parlamentare të tetorit. Por, pati akuza për mashtrim dhe që nga atëherë Gjeorgjia është përfshirë nga protestat.

Katër grupet kryesore opozitare kanë refuzuar Kavelashvilin si president dhe kanë bojkotuar Parlamentin.  Është e paqartë se si do të zgjidhet ngërçi.

Ëndrra Gjeorgjiane ka pezulluar bisedimet për anëtarësim në BE deri më 2028, duke akuzuar “BE-në për shantazh”.  Kjo pasi u kërkua zgjedhje të reja në Gjeorgji, pas parregullsive të evidentuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA