Psikologët klinikë japin alarmin për një fenomen që po e hasin shumë së fundi, braktisjen që disa gra po u bëjnë fëmijëve të tyre të vegjël, duke i lënë nën kujdestarinë e bashkëshortit apo partnerit dhe duke iu shmangur në këtë mënyrë përgjegjësive prindërore.
“Vite më parë janë ndikuar nga telenovelat, së fundi ndikohen nga rrjetet sociale për të krijuar një jetë jashtë familjes. E kur them jetë jashtë familjes nuk kam parasysh marrëdhëniet dashurore jashtë familjes apo lidhjet paralele, jo, por nëna që duan të rriten profesionalisht, duan të bëjnë karrierën e tyre duke lënë pas dore fëmijët.
Ne jemi duke trajtuar raste të nënave që kanë lënë fëmijët e tyre 3 apo 4 vjeç, i kanë lënë më baballarët, ashtu siç kemi rastin e një nëne që 2 djemtë I ka lënë nën kujdesin e babait dhe nuk ka kontakte me fëmijët jo se nuk ka mundësi financiare, por se pretendon që dy fëmijët janë pjesë e babait, I ka lindur me bashkëshortin dhe duhet të qëndrojnë me atë dhe ajo është shkëputur e nuk do të ketë fare kontakte me fëmijët. Ndërkohë që fëmijët vazhdimisht përpiqen, d.m.th. dy djem që përpiqen ata të vendosin kontakte me nënën, ndërkohë që nëna që është e rritur dhe duhet të marrë përgjegjësi, i shmang kontaktet me fëmijët.
Braktisja nga ana e nënës lë pasoja të mëdha. Ne kemi fëmijë që u janë divorcuar prindërit kur kanë qenë të vegjël që rikthehen në terapi, rikthehen në konsulta mbas 15 apo 20 vjetësh vetëm se nuk kanë kapërcyer siç duhet atë traumë, aq më tepër kur kemi këtë lloj braktisje e kuptoni se çfarë dëmi i madh iu bëhet këtyre fëmijëve. Duhet të kuptojmë që jemi në nivele alarmante për gra të cilat nuk marrin përgjegjësitë e duhura të paktën për të vegjlit e tyre, nuk flas për familjen në tërësi, por të paktën për fëmijët e tyre”-shprehet psikologia Valbona Treska.
Top Channel