Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të premten ndaj miliarderin gjeorgjian Bidzina Ivanishvili, ish-kryeministër i vendit që shihet gjerësisht si udhëheqësi de fakto i vendit në pjesën jugore të Kaukazit.
Kritikët thonë se vendi ka ndryshuar duke marrë një drejtim autoritar, pro-rus muajt e fundit nën partinë e tij ‘Ëndrra Gjeorgjiane’.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara po sanksiononin zotin Ivanishvili për “minimin e të ardhmes demokratike dhe euroatlantike të Gjeorgjisë dhe veprimeve pro Federatës Ruse”.
Sekretari Blinken tha se ish Kryeministri Ivanishvili kreu “veprime ose politika që minojnë proceset ose institucionet demokratike në Shtetet e Bashkuara ose jashtë saj, në të mirë të qeverisë së Federatës Ruse”.
Ish Kryeministri Ivanishvili, i cili fitoi miliarda në Rusi me metale dhe telekom në vitet 1990, e largoi me shpejtësi vendin e tij që ka statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkim Evropian nga Perëndimi. Ai akuzoi publikisht agjencitë e huaja të inteligjencës se synojnë ta çojnë Gjeorgjinë në luftë me Rusinë.
Sanksionet shënojnë kulmin e acarimit të marrëdhënieve midis Perëndimit dhe Gjeorgjisë, e cila ishte parë si ndër vendet më demokratike dhe properëndimore të ish-Bashkimit Sovjetik.
Partia ‘Ëndrra Gjeorgjiane’, e cila mbizotërohet nga zoti Ivanishvili, thotë se është e përkushtuar ndaj një Gjeorgjie demokratike dhe properëndimore, duke ruajtur gjithashtu lidhje pragmatike me Rusinë fqinje. Por muajin e kaluar ajo ngriu bisedimet e anëtarësimit me bllokun evropian deri në vitin 2028, duke ndalur papritur një qëllim të gjatë kombëtar që është e shkruar edhe në kushtetutën e saj.
Ky vendim nxiti protesta mbi një mujore dhe shtypjes së tyre me arrestimin e mbi 400 njerëzve, duke përfshirë politikanë të profilit të lartë të opozitës.
Shtetet e Bashkuara më 18 dhjetor sanksionoi disa zyrtarë të lartë të ministrisë së brendshme gjeorgjiane, të cilët i akuzoi për bashkëpunim në shtypjen e protestuesve.
Sanksionet nënkuptojnë se çdo pasuri e ish Kryeministrit Ivanishvili në Shtetet e Bashkuara është e ngrirë. Zoti Ivanishvili dhe aleatët e tij në qeveri kanë thënë vazhdimisht gjatë viteve të fundit se miliarderi ishte tanimë nën “sanksione de facto” nga Shtetet e Bashkuara, diçka që Uashingtoni e kishte mohuar.
Partia ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi sanksionet e reja.
Pushteti në Tbilisi ka miratuar këtë vit ligje që rregullojnë “agjentët e huaj” dhe të drejtat e komunitetit LGBT që kritikët thonë se janë frymëzuar nga Rusia.
Rusia sundoi Gjeorgjinë për rreth 200 vjet deri në vitin 1991. Sondazhet tregojnë se gjeorgjianët në shifra të larta nuk e duan fqinjin e tyre të madh, i cili vazhdon të mbështesë dy rajone të shkëputura gjeorgjiane.
Rusia dhe Gjeorgjia nuk kanë pasur marrëdhënie zyrtare diplomatike që kur Moska mposhti Tbilisin në një luftë pesë-ditore në vitin 2008. Rusia ka thënë se nuk ndërhyn në Gjeorgji.
Trazirat e javëve të fundit pasojnë zgjedhjet e diskutueshme në tetor, për të cilat rezultatet zyrtare i dhanë partisë ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ pothuajse 54% të votave. Partitë opozitare kanë thënë se zgjedhjet ishin të njollosura me mashtrime dhe janë të paligjshme.
Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili, një kritike e partisë ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ dhe që ka rol kryesisht ceremonial, ka thënë se ajo nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve dhe nuk do të largohet nga posti kur mandati i saj të përfundojë në fund të këtij muaji.
Pasardhësi i saj, Mikheil Kavelashvili, i zgjedhur nga ligjvënësit e partisë në pushtet, do të inaugurohet të dielën.
‘Ëndrra Gjeorgjiane’ tha se pret që marrëdhëniet me Uashingtonin të përmirësohen gjatë mandatit të Presidentit të sapozgjedhur Donald Trump. /VOA
Top Channel