Bujqësia po e humb peshën e saj në ekonominë vendase. Gjatë tre mujorit të tretë të këtij viti bujqësia kontribuoi më pak duke shënuar një bilanc negative -0.41% krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të vitit 2023.
Braktisja e zonave rurale, po jep efektet e saj negative në këtë sektor që konsiderohet si krahu i djathtë i ekonomisë duke kontribuar me 22% të PPB. Po kush janë shkaqet që ndikuan në pakësimin e të ardhurave nga bujqësia?
“Do ta filloja me kushtet klimatike që kanë pas një ndikim negative. Do të vazhdoja me konjukturën ndërkombëtare të çmimeve që ka pas kjo një influencë jo të vogël , do të vazhdoja më tej me ndryshimin e kursit të euros me dollarin me lekun, dhe një rënie të ndjeshme të këtij kursi në favor të lekut kjo ndikoi negativisht”, u shpreh eksperti i Bujqësisë, Agim Rrapaj.
Zhvillimi i sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë nuk bëhet vetëm duke dhënë para, por mbi të gjitha ka nevojë për politika të reja që ndikojnë në rritjen e prodhimit dhe shtimin e vlerës së produktit.
“Bujqësia nuk ka më nevojë vetëm për para, por ka nevojë për një plan strategjik të zhvillimit të saj. Cilat duhet të jenë produktet tona prioritare, dhe si ne duhet të rrisim vlerën e shtuar për njësinë e produktit. Dhe kjo nuk bëhet vetëm duke rritur sipërfaqen por duke përmirësuar teknologjinë e prodhimit”, tha eksperti Fatmir Guri.
Ndryshe nga fermerët, jeta e fshatit po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për vizitorët të cilat kërkojnë të kalojnë fundjavat larg qytetit.
“Agroturizmi që është një ndër sektorët e bujqësisë që ka performuar shumë mirë në këtë sektor. Ullishtja vazhdon të ketë rritje ku shihet një rritje e vlerës së vajit të ullirit dhe cilësisë së tij. Eksporti ka pas rritje në sasi dhe vlerë pasi ka ndryshuar harta e eksporteve nga ato në vendet lindore në ato perëndimore që rritën dhe vlerën e produkteve”, shtoi eksperti Rrapaj.
Gjithashtu, ky bilanc negativ u pa edhe në vitin 2023, ku bujqësia shënoi rënie me 0.69 për qind.
Top Channel