Izraeli njofton për sulme të reja ajrore ndaj rebelëve Houthi në Jemen

26/12/2024 17:15

Rebelët Houthi në Jemen thanë se sulmet ajrore izraelite të enjten vunë në shënjestër kryeqytetin e kontrolluar nga rebelët, Sanaa dhe qytetin port Hodeida, duke reaguar ndaj lëshimit të raketave për disa ditë me radhë nga rebelët.

Ushtria izraelite tha se sulmoi infrastrukturën e përdorur nga rebelët në aeroportin ndërkombëtar në Sanaa dhe portet e Hodeidaa, Al-Salifit dhe Ras Qantibit, si edhe disa termocentrale.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha në një fjalim të mërkurën se “Rebelët Houthi gjithashtu do të mësojnë atë që mësuan Hamasi dhe Hezbollahu dhe regjimi i Asadit dhe të tjerët”.

Media e grupit Houthi e mbështetur nga Irani njoftoi për sulmet në një postim në Telegram, por nuk dha detaje të menjëhershme. Ushtria amerikane gjithashtu ka vënë në shënjestër rebelët Houthi në Jemen ditët e fundit.

Kombet e Bashkuara kanë vënë në dukje se portet janë hyrje të rëndësishme për ndihmën humanitare.

Gjatë fundjavës, 16 persona u plagosën kur një raketë Houthi goditi një shesh lojrash në Tel Aviv.

Javën e kaluar, avionët izraelitë goditën në Sanaa dhe Hodeida, duke vrarë nëntë persona, duke thënë se ishte një përgjigje ndaj sulmeve të mëparshme të Houthive.

Houthi-t gjithashtu kanë vënë gjithashtu në shënjestër transportin detar në korridorin e Detit të Kuq, duke thënë se po vepronin në solidaritet me palestinezët në Gaza.

Ndërkohë, një sulm izraelit vrau pesë gazetarë palestinezë para një spitali në Rripin e Gazës gjatë natës, tha Ministria e Shëndetësisë e territorit. Ushtria izraelite tha se të gjithë ata ishin militantë që po e paraqisnin veten si gazetarë.

Sulmi goditi një makinë jashtë spitalit Al-Awda në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore. Gazetarët punonin për median lokale Al-Quds Today, një kanal televiziv i lidhur me grupin militant Xhihadi Islamik./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA