SHBA nderon shqiponjën pas 250 vitesh, shpendi grabitqar zyrtarisht shpallet “zogu kombëtar”

25/12/2024 21:45

Shqiponja tullace është tashmë zyrtarisht “zogu kombëtar” i SHBA-së, pasi presidenti, Joe Biden, nënshkroi një ligj në prag të Krishtlindjeve që i jep nder zogut grabitqar kokëbardhë dhe me sqep të verdhë.

Zogu ka qenë një emblemë kombëtare në SHBA për vite me radhë, duke u shfaqur në Vulën e Madhe të SHBA-së, e përdorur në dokumentet amerikane, që nga viti 1782.

Por nuk ishte caktuar zyrtarisht si “zogu kombëtar” derisa Kongresi miratoi projektligjin javën e kaluar, duke e dërguar atë në tryezën e Bidenit për t’u nënshkruar.

“Për gati 250 vjet, ne e quajtëm shqiponjën tullace ‘zogu kombëtar’, ndërsa nuk ishte”, ka thënë në një deklaratë Jack Davis, bashkëkryetar i Iniciativës Kombëtare të Zogjve për Qendrën Kombëtare të Shqiponjave.

“Por tani titulli është zyrtar dhe asnjë zog nuk është më meritor”, ka shtuar ai.

Jo të gjithë kanë qenë gjithmonë dakord për statusin kombëtar të shqiponjës tullac.

Ati themelues, Benjamin Franklin, kundërshtoi që krijesa të zgjidhej për të përfaqësuar vendin, duke e quajtur atë një “zog me karakter të keq moral”. Por jo i gjithë Kongresi ndau ndjenjat e Franklinit.

Shqiponjat tullace, si shqiponjat e tjera në mbarë botën, janë parë nga shumë njerëz si simbole të forcës, guximit, lirisë dhe pavdekësisë për breza, sipas Departamentit të Çështjeve të Veteranëve të SHBA. Dhe, ndryshe nga shqiponjat e tjera, shqiponja tullace është autoktone vetëm në Amerikën e Veriut.

Dikur këta zogj ishin në prag të zhdukjes, por popullsia e tij është rritur shumë që nga viti 2009.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA