Nga Aladin Stafa
Ndërsa këtij viti kalendarik po i vjen fundi, mbyllja e një kapitulli e hapja e një të riu, mbetet si gjëja më e natyrshme që njeriut mund t‘i ndodhë. Cdonjëri nga ne, e nisi këtë vit me një projekt-plan me pika me idenë për t’i kryer ato. Ndonjëherë duke harruar edhe faktorë të tjerë ndikues, të jashtëm apo të brendshëm, e për të thënë se jo cdo gjë mbetet të jetë në dorën tonë.
Por në fakt që në krye të herës duhet ta themi se ky vit, ishte i mbushur me plot ngjarje ikonike. Disa duke i dhënë fund rrugëtimeve të vjetra, disa duke nisur kapituj të rinj e të tjerë për të mos u harruar duke lënë jo pak gjurmë në kujtesën tonë.
Shoqëria njerëzore në botë u ndesh me vështirësi ekonomike, trazira politike, luftra dhe konflikte të mbushura me viktima nga të dyja palët. Por nga ana tjetër zhvillimi teknologjik përparonte më shpejt se ajo; njehsimi i veprimtarisë njerëzore me Intelegjencën Artificiale dhe ndikimi i jashtëzakonshëm i mediave sociale e rëndoi raportin e njeriut me cfarëdo të re që po vjen.
Nëse njeriu e ka një aftësi për t‘u admiruar, sigurisht është ajo e përshtatjes dhe e adaptimit ndaj cdo mjedisi të papritur me të cilin ai përballet, duke e kthyer cdo situatë në normalitet. Ashtu si tani na duket lufta në Ukrainë apo konflikti në Lindjen e Mesme. Deri para pak kohësh një temë e nxehtë, tashmë sytë e botës nuk janë drejtuar më në Europën Lindore duke e lëshuar fatin e saj drejt së panjohurës ekzistenciale.
E duket se konflikti në Lindjen e Mesme është ai që ka rrëmbyer të gjithë prozhektorët. Përballja e rindezur mes Izraelit e Palestinës u bë fjala kyce e këtij viti. Operacionet militare në Gaza, Hamasi dhe Bibi ja dolën të kapin nivelin makro të panoramës botërore. Lëvizjet demo në Europën perëndimore e deri në SHBA, sollen njëherazi ndërgjegjsimin për të drejtat humane dhe mospajtimin me situatën e krijuar.
Zgjedhjet e Parlamentit Europian shenjuan gjithashtu një ndërrim kahu të lehtë duke i hapur rrugë në të ardhmen të djathtës e cila mungon prej vitesh në timon. Fryma majtiste qe ka kapluar Europën dekadën e fundit, ka sjellë pakënaqësi tek shoqëritë. “Bota e lirë“, lëvizja “Walk“, përzierja e shumë kulturave, dobësimi i familjes dhe ekonomia në degradim sollën nevojën për një frymë të djathtë konservative si për ta frenuar sadopak atë.
Rizgjedhja e Trump në nëntor ishte mesazhi më i qartë se politika globale do të pësojë një ndryshim rrënjësor. Premtimet e tij morën simpatinë e një popullariteti në mbarë botën, për të treguar edhe njëherë se askush nuk e do kaosin, shthurjen apo lëvizjen nga boshti tradicional. E më e fundit ishte rënia e regjimit të Assadit. Presidenti i Sirisë, Bashar Al Assad pas 24 vitesh sundimi absolut u detyrua të largohet për në Moskë për shkak të marrjes së kontrollit të qyteteve kryesore nga forcat rebele, duke i dhënë fund një agonie dhe duke hapur kështu ´ankandin´ për lidershipin e ri politik në vend. Euforikë ishin burokratët europiane, të cilët presin të marrin frymë më lirisht nga dyndjet e refugjatëve të cilët u kthyen në një problem konstant që pas pranverës arabe.
Nga ana tjetër katastrofat natyrore nuk kishin si të mos mungonin. Si një kundërpërgjigje e natyrës ndaj forcës së njeriut se shfrytëzimi i saj po tejkalon cdo kufi, thuajse cdo kontinent u përball me pasojat që ajo la pas. Përmbytje shkatërruese, tajfunë dhe tërmete zhvendosën miliona njerëz duke theksuar nevojën urgjente për përshtatje klimatike. Njëherësh duke na dhënë një mesazh se luftën ndaj saj e kemi cdo herë të humbur, andaj kujdesi që duhet të kemi për të duhet patjetër maksimalizuar duke shmangur tej natyrën tonë të pangopur.
Dy ngjarjet sportive-kulturore që ndodhën gjatë këtij viti janë gjithashtu Kampionati Europian i Futbollit në Gjermani dhe Lojrat Olimpike që u zhvilluan në Francë. Për ne shqiptarët, një mundësi e artë për t‘i treguar Europës një tjetër fytyrë tonën. Në përpjekje për të hequr stigmën e krijuar prej një pakice, ajo ishte një reklamë turistike për Shqipërinë para sezonit veror. Një krenari që shkon përtej tribunave në stadiume me kontributin e gjithsecilit prej nesh.
Cdo ditë të vitit. Nga ana tjetër skandali i hapjes së Lojrave Olimpike, eklipsoi të gjithë eventin duke e theksuar më shumë mesazhin që ai përcillte. Madje më shumë se vetë përmbajtjen sportive të kompeticionit.
Padyshim mund të dalim në pwrfundimin se ishte një vit me plot ulje-ngritje dhe secili nga ne u rrit, dështoi, fitoi por më e rëndësishmja mësoi. Cfarë Viti i Ri do të sjellë, varet thjesht nga motivimi ynë për të bërë ndryshime apo cfarë prurjesh të reja do të kemi në jetët tona.
Dita e nesërme vjen me mundësi të reja. E si për rastësi, viti mbyllet me ardhjen në jetë të një figure sa sakrifikuese aq edhe shpresëdhënëse, për të thënë se jeta vazhdon dhe dielli do të lindë përsëri. E sic Benjamin Franklin ka thënë – jini në luftë me veset tuaja, në paqe me fqinjët tuaj dhe cdo vit i ri le t´ju gjejë një njeri më të mirë.
Top Channel