Ekzekutimi i CEO-s së kompanisë së sigurimeve/ Luigi Mangione deklarohet i pafajshëm për akuzat shtetërore për vrasje

24/12/2024 07:33

Luigi Mangione, personi i akuzuar për vrasjen në Manhatan të drejtuesit ekzekutiv të kompanisë së sigurimeve shëndetësore ‘UnitedHealthcare’ Brian Thompson, u deklarua i pafajshëm të hënën mbi akuzat për vrasje, të ngritura nga prokurori i Nju Jorkut.

Thompson, u qëllua për vdekje më 4 dhjetor, jashtë një hoteli në qendër të Manhatanit, ku kompania ishte mbledhur për një konferencë.

Aktpadia përmban 11 akuza, përfshirë vrasje të shkallës së parë dhe vrasje si një akt terrorizmi.

Nëse shpallet fajtor, 26 vjeçari përballet me një dënim maksimal që shkon deri burgim të përjetshëm, pa mundësinë e lirimit me kusht.

Luigi Mangione u arrestua në një restorant ‘McDonald’s’ në qytetin e Altonës në Pensilvani më 9 dhjetor, pas 5 ditësh përpjekje të autoriteteve për kapjen e tij.

Ndërsa vrasja është dënuar gjerësisht, Luigi Mangione është vlerësuar si një hero popullor nga disa amerikanë, të cilët dënojnë kostot e larta të kujdesit shëndetësor dhe fuqinë që kanë kompanitë e sigurimeve, për të mohuar pagesat për disa trajtime mjekësore.

Pak ditë më parë Mangione u ekstradua në Nju Jork me helikopter dhe ndërsa zbriti në Manhatan u shoqërua nga një numër i madh oficerësh policie. I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams.

Në seancën e sotme ku u njoh me akuzat, avokatja e tij, Karen Friedman Agnifilo, e quajti mënyrën e shoqërimit të 26 vjeçarit, si spektakël politik, dhe duke iu referuar deklaratave të tjera nga zyrtarë publikë, ajo tha se klienti i saj rrezikonte të mos gjykohej me drejtësi.

Disa dhjetëra njerëz u mblodhën jashtë gjykatës, pavarësisht temperaturave të ulta, për të shprehur mbështetjen për Mangionen dhe zemërimin e tyre ndaj kompanive të kujdesit shëndetësor.

Kara Hay, një mësuese 42-vjeçare, tha se ishte e gabuar që Mangione të akuzohej për terrorizëm.

“Vrasja e një drejtuesi ekzekutiv nuk e bën atë terrorist. Unë nuk ndihem e terrorizuar”, tha ajo.

Gjykatësi i çështjes Gregory Carro caktoi si datë për paraqitjen e radhës të Luigi Mangiones 21 shkurtin.

Ndaj Mangiones rëndojnë edhe akuza federale për vrasje me armë zjarri, dy akuza për përndjekje dhe një akuzë për përdorimin e një arme me silenciator.

Autoritetet thonë se ai e kishte planifikuar prej muajsh vrasjen, nxitur nga urrejtja për industrinë e sigurimeve shëndetësore dhe drejtuesit e pasur të korporatave.

Sipas aktpadisë federale, policia e Altonës ka gjetur një bllok që dyshohet se i përket Luigi Mangione, i cili përmban disa faqe të shkruara me dorë “ku shprehet zemërimi ndaj industrisë së sigurimeve shëndetësore dhe në veçanti, ndaj drejtuesve pasur të saj” .

Policia i gjeti të dyshuarit edhe një letër drejtuar “agjentëve federalë” ku thuhej: “Nuk kam punuar me askënd”, sipas aktpadisë.

Prokurorët federalë mund të kërkojnë dënimin me vdekje për akuzën e vrasjes, një dënim që është hequr në shtetin e Nju Jorkut prej dekadash.

Disa ditë më parë avokatja Friedman Agnifilo tha se klienti i saj rrezikon të gjykohet dy herë për të njëjtat akuza, pa harruar se ai është akuzuar për krime më të rënda sesa dëshmojnë faktet, siç tha ajo./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA