Një aeroplan i vogël me 10 persona në bord u rrëzua në dyqanet e qendrës së qytetit turistik të Gramado në Brazilin jugor të dielën, thanë zyrtarët e mbrojtjes civile dhe raportet fillestare treguan se nuk kishte të mbijetuar.
“Për fat të keq, raportet fillestare tregojnë se pasagjerët e avionit nuk mbijetuan”, tha Guvernatori Eduardo Leite në një postim në platformën X.
Sipas zyrës së sigurisë publike të shtetit Rio Grande do Sul, të paktën 15 persona u dërguan në spitalin e qytetit, shumica e të cilëve vuanin nga thithja e tymit të shkaktuar nga përplasja, shkruan CNN.
Raportohet se avioni fillimisht goditi oxhakun e një ndërtese, më pas katin e dytë të një shtëpie, përpara se të përplasej me një dyqan mobiljesh, thanë autoritetet.
I vendosur në një rajon malor, Gramado është destinacioni më popullor turistik në Rio Grande do Sul, i cili u ndikua rëndë në fillim të këtij viti nga përmbytjet e paprecedentë që morën dhjetëra jetë, shkatërruan infrastrukturën dhe prishën ndjeshëm ekonominë e shtetit.
Aksidenti ndodhi pak ditë para Krishtlindjeve, një periudhë veçanërisht e ngarkuar për qytetin, i cili tradicionalisht është stolisur me dekorime dhe organizon ngjarje festive.
Top Channel