Bonusi tjetër i pensionistëve/ Kryeministri Rama komunikon nga Himara vendimin e qeverisë shpërblimin për pranverën

22/12/2024 15:01

Bonusi i pranverës ishte kartolina e fundvitit e kryeministrit Edi Rama për pensionistët.  

Nga Himara shefi i qeverisë sqaroi skemën e mbështetjes për të moshuarit.

“Kemi caktuar edhe bonusin e pranverës, i cili do të jepet përmes një fondi të hapur nga qeveria shqiptare për pensionistët në BSH. Ata me pension nën 200 euro do të marrin 100 euro bonus, ndërsa ata që kanë mbi 200 euro do të marrin 50 euro bonus”, u shpreh Rama.

Për himarjotët Edi Rama  kishte një dhuratë  tjetër. U shpërndau titujt e pronësisë për shtëpitë e trashëguara, bashkë me premtimin se  qeveria e tij do të mbyllë shume shpejt edhe procesin e regjistrimit te tokave.

“Duke  vazhduar me dhënien e këtyre dokumenteve të shumëpritura të shtëpisë, më lejoni që t’ju garantoj se, ashtu siç bëmë realitet përmbylljen e këtij procesi, ashtu do të bëjmë realitet edhe mbylljen e procesit të AMTP-së. keni kapur Vangjelin e duhur mos e lëshoni se po qe për punë një Vangjel ka kjo zonë, po qe për sherr është një Vangjel tjetër.”, shtoi kryeministri.

Me kryebashkikun e ri, Rama paralajmëroi se  Himarën e presin investime te mëdha.

“Po diskutojmë  për një parkim të madh nëntokësor tek fusha e sportit ku do të mund të akomodohen shumë mjete, ndërkohë që fusha do të jetë përsëri po aty, po parkimi do të jetë nëntokësor dhe fusha do të jetë mbi parkimin.”, tha më tej kreu i qeverisë.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi investime edhe në qendrën e qytetit bregdetar si dhe ndërhyrje në  Borsh.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA