Gjetjet e avokatit të popullit, kontrolli në spitalet psikiatrike ka nxjerrë shumë probleme

21/12/2024 16:08

Institucioni i Avokatit të Popullit inspekton çdo vit spitalet psikiatrike dhe institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria.

Nga inspektimet e këtij viti rezultoi se në vendin tonë, ligji për shëndetin mendor, megjithëse është miratuar 12 vjet më parë, nuk gjen zbatim edhe sot e kësaj dite.

Erinda Ballanca, Avokati i Popullit: Ajo që kemi identifikuar është se kushtet e infrastrukturore në një sërë spitalesh nuk kanë qenë të duhurat. Ndërsa Spitali Psikiatrik në Vlorë është rikonstruktuar gjatë 5 viteve të fundit dhe ka përmirësime në kushtet infrastrukturore, spitali i Elbasanit mbetet ende në kushte infrastrukturore shumë të dobëta për akomodimin e këtyre personave. Prej 5 vitesh është premtuar se do të ristrukturohej ky spital dhe më në fund është miratuar leja e rikonstruksionit. Një shqetësim që kemi patur është se nuk ka mjaftueshëm terapi rikuperuese për këta të sëmurë. Rekomandimi kryesor I Avokatit të Popullit ka qenë që ne do të mundemi t’i rikuperojmë këta persona dhe jo t’u japim qetësues në mënyrë që ata të jenë nën efektin e ilaçeve.

Pyetje: Në 2021 u mbyll institucioni famëkeq i Zaharisë dhe të gjithë personat u zhvendosën në institucionin e posaçëm në Shën Koll të Lezhës. Po atje si është situata?

Erinda Ballanca, Avokati i Popullit: Kapaciteti i këtij institucioni ishte për 188 persona, por aktualisht atje janë 444 persona, pra më shumë se dyfishi. Kjo pasi pati një numër shumë të lartë me vendime të gjykatave, që detyronin një numër të madhe personash drejt kësaj qendre. Shqipëria është zotuar që do të ngrejë institucionin forensik, por për ne është thelbësisht problematike kjo gjë, pasi së pari ata janë në mbipopullim të tmerrshëm, dhe e dyta nuk kanë personel për t’i asistuar, sipas numrit aktual. Një problem tjetër shumë I madh aty lidhet me gjykatat që ndonëse kanë detyrimin që duhet të bëjnë rivlerësimin e këtyre personave brenda një vitit me iniciativë, gjykatat nuk arrijnë ta bëjnë në kohë këtë vlerësim dhe personat mbetet 1 vit apo 1 vit e gjysmë pa patur një vlerësim të dytë nëse ata duhet të rrinë apo jo në këtë institucion të mbyllur prej të cilit ata nuk mund të dalin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA