Macron vizitë në Mayotte pas ciklonit shkatërrues, pritet me zemërim nga qytetarët: Po talleni me ne

20/12/2024 18:59

Presidenti francez Emmanuel Macron është takuar me banorët e Mayotte, disa ditë pasi u godit nga cikloni shkatërrues “Chido”.

Deri tani raportohen të paktën 31 viktima, por autoritetet lokale frikësohen se numri i tyre mund të arrijë në qindra apo edhe mijëra.

Sapo mbërriti në Mayotte, Macron u prit me zemërim nga disa banorë, të cilët pretendojnë se ka mungesë mbështetje nga Parisi pas ciklonit.

“Nuk ka ujë, nuk ka shërbime. A është normale kjo pas gjashtë ditësh?” pyeti një qytetar presidentin francez.

Një qytetare tjetër i tha: “Gjithçka është shkatërruar. Ne kemi nevojë për ju, nuk ka asgjë këtu. Kemi fëmijë të vegjël, jemi pa ujë dhe pa energji”.

Reagime ka pasur edhe për sasinë e ndihmave që u është dhënë të prekurve nga cikloni. Macron solli katër tonë ndihma në territor, raporton CNN.

“Katër tonë ndihma, që janë 100 gram ushqim ose ujë për person. Çfarë është kjo? Një kuti me sardele? Nëse ai na sjell 40,000 kuti sardele, do të jemi të kënaqur me kaq”, tha një grua në transmetimin e France Info.

Një qytetar tjetër postoi një fotografi të dy shisheve me ujë, një kuti me domate dhe dy kuti të tjera të vogla me ushqim në rrjetet sociale dhe shkroi: “Kjo është e ashtuquajtura ndihmë ushqimore e shpërndarë për njerëzit e Mayotte”.

Megjithëse fillimisht kishte planifikuar të qëndronte vetëm gjatë ditës në Mayotte, Macron konfirmoi të enjten pasdite se do të qëndronte edhe natën. Ai njoftoi gjithashtu se shteti francez do të krijojë një fond kompensimi për ata që janë të pasiguruar dhe tha se ai do të rindërtojë Mayotte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA