Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një dalje për mediat këtë të premte, kritikoi buxhetin e vitit 2025, të propozuar nga qeveria.
Sipas Berishës, pensionistët në vendin tonë janë më të keqtrajtuarit në Evropë dhe rritjen që u janë premtuar nga qeveria, nuk janë realizuar. “780 mijë pensionistëve u la gjithsej për vitin 2025, 16 milionë euro. Nuk ka vend që e bën këtë kurrë, kurrë“, u shpreh ai.
Sali Berisha: Pensionet në Shqipëri, nga viti 2013 gjer sot, në rast se i ballafaqojmë me rritjen e çmimeve janë të paktën 30% më të ulëta se sa në vitin 2013. Buka sot, është dyfishi. Qumështi, veza, të gjitha produktet bazë janë dyfishi, ose 60, 80% më të shtrenjta se sa ishin në vitin 2013.
Sot, ka ardhur një kohë e egër, ku me pensionisti me 160 mijë lekë në xhep, të vjetra, apo edhe më pak, shkon në dyqan, sheh çmimet, i ka më të shtrenjta se në Itali, i ka më të shtrenjta se në Greqi, i ka më të shtrenjta se në Gjermani. Po flas për ushqimet bazë, dhe ky është një realitet i pamohueshëm.
Pra, në rast se çmimet janë sot në tregun shqiptar, 10 gjer 250% më shtrenjtë se sa mesatarja e çmimeve në BE. Pensionet e qytetarëve shqiptarë janë pakrahasimisht më të ulëta se të atyre. Pensioni mesatar i një qytetari shqiptar është 160 mijë lekë. Pensioni mesatar i një malazezi është 450 mijë lekë. Absolutisht, pensioni mesatar i një maqedonasi është 280% më i lartë se Shqipëri.
Pensioni mesatar në Serbi është 350% më i lartë se në Shqipëri. Pensioni mesatar në Kosovë ishte 190 mijë, kryeministri i Kosovës me një vendim para dy muajsh, u tha qytetarëve: unë do ua rris 20% pensionin. Dhe mori nga buxheti i shtetit 100 milionë euro, i kaloi te fondi i pensioneve, i cili për Kosovën ishte 500 milionë euro. Dhe vërtet, çdo pensionist në Kosovë mori 20% më shumë se sa mierrte para atij vendimi.
Kurse këtu, çfarë ndodh këtu? U premtua në dhjetor të vitit të kaluar, u votua në parlament. Votimi në parlament është ligj, ta dini ju. U votua buxheti. Por buxheti është ligj, ligji i shtetit. U votua që pensionistëve në mars do t’u indeksohet me 4% rritja e çmimeve.
Nuk iu dha asnjë lekë, u shkel ligji. Ndaj kujt? Ndaj atyre që numërojnë kafshatën, dhe gjer në tetor nuk iu dha një qindarkë. Dhe këto lekë nga marsi gjer në tetor, doli zotëria tha: do ua jap bonus para vitit të ri.
Ato që i vodhi, apo luajti bixhoz, çfarë bëri me to, kush e merr vesh, dhe tani u kujtua t’i kthejë në shkelje flagrante të ligjit.
Erdhi buxheti i dytë i 2025. E njoftoi se, ky buxhet është më i madhi në histori. 8.2 miliardë. Sa la për pensionistët thoni ju? 16 milionë.
780 mijë pensionistëve u la gjithsej për vitin 2025, 16 milionë euro. Nuk ka vend që e bën këtë kurrë, kurrë.
Në vitin 2013, të dashur miq, ne arritëm të dalim në krye për rrogat dhe pensionet në rajon dhe kjo ishte, të themi si të doni, por ishte një arritje për ne që vinim më të varfrit e rajonit prej shumë e shumë kohësh, të dilje në krye ishte një frymëmarrje e vërtetë, ishte një arritje e vërtetë. Po ku jemi tani. Tani jemi në gropë dhe më thellë, honet e varfërisë.
Top Channel