VIDEO/ Sulmoi me thikë studentët protestues në Beograd, zbulohet kush është i moshuari i dyshuar për krime lufte në Bosnje

18/12/2024 14:38

Protestat e studentëve në Beograd, të mbajtura për shkak të aksidentit tragjik në Novi Sad ku humbën jetën 15 persona, u përshkallëzuan kur në mesin e demonstruesve ishte një i moshuar me thikë.

Sipas informacioneve që qarkullojnë sot në rrjetet sociale, bëhet fjalë për Ratko Adzic, i dyshuar për krime lufte në Bosnje-Hercegovinë dhe ish-kryetar i Shtabit të Krizave të “Komunës serbe të Ilijasit”.

Ai u filmua dy ditë më parë teksa sulmonte pjesëmarrësit në protestë, teksa sipas pamjeve të publikuara mbante një thikë në dorë, sipas Klix.ba.

Ratko Adzic është i lidhur me krimet e luftës të kryera në fshatin Lesevo, ku më 5 qershor 1992, pjesëtarët e forcave serbe vranë 22 civilë boshnjakë. Krimi u krye me urdhër të tij si kryetar i Shtabit të Krizave dhe mbijetuan vetëm dy dëshmitarë. Pas 11 ditësh, trupat e viktimave u varrosën në një varr masiv, i cili u zhvarros në vitin 1996, duke zbuluar provat e para të varreve masive në Bosnje dhe Hercegovinë.

Emri i Adzic u shfaq në dokumente të shumta të Tribunalit të Hagës, duke përfshirë vendimet kundër Radovan Karaxhiq dhe Vojislav Sheshel.

Pavarësisht provave dhe dëshmive të shumta të të mbijetuarve, kundër tij nuk u ngrit asnjë akuzë. Fondi për të Drejtën Humanitare nga Beogradi ka paraqitur një kallëzim penal kundër Adzicit në vitin 2016, duke paraqitur më shumë se 50 prova, por ndjekja ende nuk ka filluar.

Pas luftës, Adzic iku në Serbi, ku punoi si mësues në shkollën e mesme filologjike në Beograd. Emri i tij është edhe në “listën e Hagës” të personave ndaj të cilëve, sipas mendimit të hetuesve ndërkombëtarë, ka prova të forta për aktakuzë.

Megjithatë, përgjegjësia për krimet e kryera ende mungon, pavarësisht apeleve të shumta nga familjet e viktimave dhe organizatat e të drejtave të njeriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA