Keqpërdorimet me rezervat shtetërore/ Kurti jashtë vendit, nuk paraqitet në Prokurorinë Speciale, kryeministri: Jam i gatshëm t’i pres në zyrë

16/12/2024 11:30

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte ftuar si dëshmitar te paraqitet në orën 09:30 të hënën pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sot nuk është paraqitur në orarin e caktuar për shkak se ndodhet jashtë vendit dhe nuk mund të paraqitet në 09:30.

“Zyra e Kryeministrit ka njoftuar sot që kryeministri i Kosovës ndodhet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet”, ka thënë Liridona Koqmezi, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.

Për ta ky arsyetim qëndron dhe Prokuroria Speciale do të përgatisë një ftesë tjetër në një datë që ende nuk është caktuar.

Sipas informacioneve, ai nuk do të gjobitet sepse qëndron arsyetimi. Jo zyrtarisht mësohet se Kurti do të dëshmojë për keqpërdorimet me rezervat shtetërore.

Kurti thotë se është i gatshëm të presë prokurorët në zyrë për të dhënë dëshminë.

“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, ka thënë në një përgjigje Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA