Departamenti i Drejtësisë (DOJ) gjatë mandatit të parë të Donald Trump ka marrë fshehurazi të dhëna telefonike nga dy anëtarë të Kongresit dhe 43 punonjës të tjerë, përfshirë Kash Patel, i përzgjedhuri i Trump për të drejtuar FBI-në, si pjesë e hetimeve mbi rrjedhjen e informacionit, sipas një raporti të lëshuar të martën nga inspektori i përgjithshëm i DOJ.
Raporti i ri ngre shqetësime për mënyrën se si departamenti u përpoq të gjente burimet e gazetarëve nga një listë e gjerë dhe dypartiake e punonjësve federalë që kishin akses në informacion të klasifikuar për shkak të detyrave të tyre.
Edhe pse raporti nuk përmend emrat e Patel dhe dy anëtarëve të Kongresit, burime të njohura me këtë çështje i thanë CNN se Patel ishte në shënjestër, së bashku me përfaqësuesit demokratë Adam Schiff dhe Eric Swalwell. Patel ishte një ndihmës për Komitetin e Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve, që drejtohej nga republikanët në atë kohë. Ndërkohë, Schiff është zgjedhur senator dhe ka marrë detyrën të hënën.
Prokurorët kërkuan gjithashtu të dhëna, përfshirë emaile, nga gazetarët e CNN, The Ëashington Post dhe The Neë York Times, sipas raportit.
Raporti zbuloi se hetuesit e Departamentit të Drejtësisë (DOJ) ndërmorën një fushatë të gjerë për të identifikuar ata që mund të kishin pasur akses në informacionin e ndjeshëm që ishte rrjedhur.
Kërkimi i të dhënave bazuar vetëm në “afërsinë në kohë midis aksesit në informacion të klasifikuar dhe publikimit pasues të tij… rrezikon të frenojë aftësinë e Kongresit për të mbikëqyrur degën ekzekutive,” shkroi inspektori i përgjithshëm.
Kjo ndodh sepse një veprim i tillë “ekspozon zyrtarët e Kongresit ndaj shqyrtimit të të dhënave të tyre nga Departamenti i Drejtësisë vetëm për kryerjen e detyrave kushtetuese të autorizuara për mbikëqyrje nga Kongresi, duke krijuar, të paktën, perceptimin e ndërhyrjes së papërshtatshme të degës ekzekutive në aktivitetet legjitime të mbikëqyrjes nga dega legjislative,” shtoi inspektori i përgjithshëm.
Inspektori i përgjithshëm nuk rekomandoi akuza kundër askujt në shqyrtimin e tij dhe nuk gjeti asnjë tregues që prokurorët e karrierës të caktuar për hetimin e rrjedhjes ishin të motivuar nga politika.
Top Channel