Metodave që po përdor në luftën kundër dhunës së familje, Kosova do t’i shtojë edhe monitorimin elektronik.
Kryeministri Albin Kurti njoftoi se vënia në jetë e një nisme të tillë do të jetë një shtysë e rëndësishme përpara në përpjekjet për kundërvënie ndaj këtij fenomeni.
Kurti i bëri këto pohime pas një takimi të organizuar nga Policia e Kosovës, e cila ka demonstruar se si do të funksionojnë hallkat për monitorim elektronik të autorëve të dhunës, apo të personave dyshuarve.
Ligji për mbikëqyrjen elektronike ka hyrë në fuqi në qershorin e vitit 2015, por nuk është vënë asnjëherë në zbatim.
Mbikëqyrja elektronike, sipas autoriteteve, do të vlejë tani për çdo individ sapo të ketë vendim të gjykatës për urdhër mbrojtjeje. Hallka do të vendoset në këmbën ose dorën e dhunuesit, ose të personit të dyshuar.
Nëse i dyshuari i afrohet viktimës që ia ndalon gjykata, sinjali u shkon automatikisht nivelit lokal dhe qendror të policisë, dhe nisin procedurat standarde për ndërhyrje. Shefi i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bëri thirrje që qytetarët të mos ngurrojnë të raportojnë rastet e dhunës në familje.
Që prej vitit 2010, në Kosovë janë vrarë 58 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, si dhe baballarët dhe djemtë.
Top Channel