Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi se forca të jashtme po tentojnë minimin e Kosovës, por nuk do ta lenë të lehtë.
“Aktorë të huaj keqdashës e mjaft aktivë po tentojnë të minojnë demokracinë e Kosovës duke shfrytëzuar ndasitë etnike. Ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë”, thotë Hovenier.
Kreu i misionit diplomatik të SHBA-së theksoi pasojat e mëdha që mund të ketë dezinformimi sidomos gjatë periudhës zgjedhore, në të cilën Kosova ndodhet aktualisht përpara zgjedhjeve të 9 shkurtit. Për këtë, ai dhe i kujtoi një bisedë të rreme të publikuar në rrjetet sociale disa vite më pare gjoja mes tij dhe kryeministrit Kurti, për të cilën tha se kishte për qëllim “të mbillte mosbesim brenda komunitetit serb të Kosovës”.
“Fatmirësisht, atë bisedë, jo shumë njerëz e morën seriozisht… Por, fakti që një aktor shkroi një skenar, përgatiti një skenar, krijoi një regjistrim krejtësisht të pavërtetë për të mbjellë mosbesim dhe shqetësim në komunitetin serb dhe e publikoi atë në rrjetet sociale, është një tregues i qartë i këtij problem”, shton ambasadori amerikan.
Hovenier, i cili e përfundon mandatin e tij në Kosovë në fund të dhjetorit, theksoi se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës, dhe i mbështet mediat e pavarura të saj, përfshirë ato që drejtohen nga pakicat.
Një ditë më parë, një studim i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, dilte në përfundimin se disa fushata dezinformuese në vend kanë objektivin e qartë të tensionojnë marrëdhëniet ndëretnike.
Top Channel