Publicisti i njohur nga Kosova, Veton Surroi e shikon sulmin e javës së shkuar në kanalin e ujti të Ibër Lepencit si përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve të vendit me Serbisë.
Surroi, aktualisht këshilltar i jashtëm i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Beogradin, i tha VOA-s se moszbatimi i marrëveshjes të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dëshmon dobësinë e ndërmjetësuesve dhe se për çdo proces të ardhshëm do të duhen garanci ndërkombëtare dhe trajtim i çështjeve të sigurisë.
“Mendoj se gjëja më e rëndësishme nga ky shpërthim është fakti që është analog me sulmet që bën Rusia në Ukrainë, pra kundër infrastrukturës kritike. Në rastin e Rusisë përdoret armatimi, përdoren dronët, raketat. Në rastin e Kosovës është përdorur një shpërthim eksplozivi. Ky është brengosës. Natyrisht në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me veprim terrorist, në rastin e Rusisë kemi të bëjmë me luftë të hapur…….Kosova ka hyrë në një proces negociatash me vullnet të plotë. Kryeministri disa herë ka përsëritur gatishmërinë e tij për ta nënshkruar marrëveshjen. Serbia disa herë ka deklaruar, edhe me shkrim, se nuk mund ta pranojë marrëveshjen në tërësi. Kjo ka dëshmuar dobësinë e ndërmjetësve dhe tash duhet të hyjmë në një fazë të re, në të cilën garancitë e bashkësisë ndërkombëtare duhet të jenë të tilla që palët t’i kuptojnë seriozisht dhe t’i hyjnë një zbatimi të një procesi i cili, pos kësaj dinamike të përhershme, duhet të trajtojë çështjet e sigurisë”, tha ai.
Surroi theksoi se pret që administrata e Presidentit të zgjedhur Donald Trump ta shikojë çështjen e Kosovës brenda një konteksti shumë më të gjerë se tani – atë të luftës së Rusisë dhe zhvillimit të botës euro-aziatike.
“Ndoshta është shumë herët ende, sepse duhet të shohim kush janë njerëzit dhe cilat janë prioritetet. Por ato çka dimë dhe njerëzit të cilët i njohim është se çështja e Kosovës shikohet brenda një konteksti shumë më të gjerë, e kjo është lufta e Rusisë dhe zhvillimi i botës euro-aziatike. Në atë kuptim, besoj që do të jetë në interes të administratës Trump, që sa më shpejt t’i hyjë kësaj pune në mënyrë që mos të krijohet kjo vijë ndarëse mes Kosovës dhe Serbisë, si vijë ndarëse mes botës euro-atlantike dhe asaj euro-aziatike.”, shtoi Surroi.
Top Channel