Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, foli për paraqitjen e tij në SPAK, duke dhënë detaje.
Dogjani u shpreh se ndaj tij është dirigjuar një kallëzim, pasi ai ka denoncuar vjedhjen e pronave publike. Ndër të tjera demokrati u shpreh se “ky nuk është sulm vetëm ndaj meje, por ndaj çdo deputeti të opozitës që tenton të ngrejë zërin”.
Sakaq ai theksoi se do të vazhdojë të denoncojë çdo shkelje që mund të bëhet ndaj qytetarëve.
“Dua të ndaj rastin tim lidhur me një ndjekje penale ndaj meje nga qeveria e Ramës. Kam denoncuar kudo ku kam qenë korrupsionin e kësaj qeverie. Shkuarja ime në SPPAK, bëhet fjalë për një shtëpi që jetoj me 3 fëmijët e mi që në vitin 2006. Pra shikojeni ku ka rënë niveli i SPAK. Në vend të merret me hotelet, vilat, grabitjet e pronave publike, Portin e Durrësit, ndaj meje fillon një procesim dhe ‘oburra ta çojmë në SPAK’ pa asnjë provë. Unë kam denoncuar grabitjen e pronës publike në mes të kryeqytetit. Shtëpia është me dokument para noterit. Pas 20 vitesh, meqë kam kërkuar interpelancë me Ramën për këtë çështje, është dirigjuar për të bërë kallëzim ndaj meje “mos deklarim pasurie”.
SPAK duhet të merret me ata që vjedhin. Ky nuk është sulm vetëm ndaj meje, por ndaj cdo deputeti të opozitës që tenton të ngrejë zërin. Unë do vazhdoj të denoncoj çdo ditë dhe nuk më ndalon dot Edi Rama.”, u shpreh Dogjani.
Top Channel