Nga Agron Gjekmarkaj

Alfred Lela, jo krejt rastësisht, erdhi këtij Nëntori me një vëllim poetik në dorë! Të mësuar me gazetarin, publicistin debatuesin, ndokush edhe u habit! Personalisht, ndonëse pa indicie konkrete, e dija që poetin e mban kurdo e gjithkund me veten. Në shkrimet e tij, edhe në ato më të thartat e politiket, e gjen sharmin e fjalës, përzgjedhjen dhe sfumaturat, lojën që i jep asaj një arkitekturë unike! Ndaj libri “Solo” (Vetëm) me konfirmoi të hershmen bindje. Nuk janë shumë ata që duan ta shfaqin vetminë si identitet.

Lela atë e ka bindje e gjykim, filozofi e përfundim. Vetëm vijmë, vetëm jemi dhe vetëm ikim! Po kjo është një gjendje sublime, në daç poetike, në daç njerëzore, ku në shkallaret e saj ngjitesh e ulesh për të parë të tjeret, botën, horizontin, e zbret për të kuptuar veten në raport me to!

Në keso udhëtimesh uliksiane, Alfred Lela i lejon vetes të jetë i krishterë sa të dojë, ta gjykojë dashurinë nga gjurmët e plagëve që i le, nga harta e mallit, nga boshi kur ikën, nga dhimbja kur ta rrëmbejnë! Ah Bibla, ky qiell i patejkalueshëm dijesh, i jep herë pas herë fuqinë e pagëzimit, brinjët e Adamit, mollën e Evës, dhe i thotë solo, solo, solo (vetëm) mbeten të gjithë atje në malin e ullinjëve, si Zoti ynë!

Por i duhet Eskili për ta dërguar Inën si Efigjeninë në Aulide, e do një shkak për t’u zemëruar përjetësisht! Por:
“Jam i prerë hollë,
Si një letër cigareje që mbështjell duhan të grirë trashë,
Hollë,
Si një pritë ku merret gjaku,
Si një gjak që falet, por s’bëhet ujë.”

E kaq hollë njeriu mbijeton vetëm si poet, e kaq hollë individin e mbështjell stuhia dhe e përplas aty këtu, por e le gjallë, si dëshmitar të saj, kaq hollë e çon jeta, në çdo cep dhe e rikthen në nisje si rrëfyes, e kaq i hollë mund të rrish vetëm si e padukshme mes njerzish, del mbi ta e në anë ku sheh të ngjashmit e lutet për ta, ku përkufizon të ndryshmit në kërkim identitesh, për të lënë timbrin në rrëpirat e moshës!

Udhëton drejt njohjes në New York, Budapest, kudo në latinen botë italiane, duke parë, shijuar, krahasuar e relativizuar mes mitesh antike veten në një plazh, duke kuptuar tokën dhe Anteun kur është në fluturim! Intelektualizma është dera e vetmisë së tij! Sqima, dritarja! Heshtja, kolona zanore! Vetmia, njeriu dhe identiteti i tij! Solo, Solo, Solo! Lexojeni atë!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA