Sot ndizen dritat e festave në Tiranë, festimet do të zgjasin deri në orët e para të mëngjesit

02/12/2024 14:32

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka pritur në takim artistët të cilët do të performojnë në koncertin festiv të ndezjes së dritave në kryeqytet, që do të nisë në orën 18:00 të mbrëmjes së sotme.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj u shpreh se gjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit do të vijojnë festimet në Tiranë në kuadër të Natës së Bardhë.

“Jemi këtu me çunat e gocat më të paparë të qytetit, artistët më magjikë të Tiranës sonë, me të cilët në orën 18.00, sot pasdite do të hapim dritat e pemës së Vitit të Ri, për gjithë gëzimin që sjell kjo stinë festash. Ndërkohë gjatë gjithë natës, do kemi një Natë të Bardhë, ku do të fillojmë me hapjen e dritave, do të vazhdojmë deri në të gdhirë”, u shpreh kryebashkiaku.

E pranishme në takimin me kryebashkiakun ishte edhe artistja e njohur Manjola Nallbani e cila theksoi se sot Tirana është e të gjithëve. Ai u shpreh se është shumë e lumtur që sot kryeqyteti gëlon nga turistët e shumtë që zgjedhin ta vizitojnë edhe në prag të festave.

“Sonte në shesh do festojmë, do festojmë me muzikë të bukur, me artistë të mrekullueshëm, do festojmë me publikun i cili nuk është vetëm tirons, por me siguri nga të gjithë rrethet e Shqipërisë, sepse Tirana është e të gjithëve, por natyrisht, unë sa herë edhe vij me avion, shoh që avionët janë plot me turistë, duke ardhur në Tiranë! Jam shumë e lumtur, sepse Tirana është qyteti i babait tim, qyteti i shumë brezave të familjes sime. E dua me gjithë shpirt dhe ju ftoj të vini e të kënaqemi. Është shumë e rëndësishme të kemi sa më shumë arsye për të festuar e gëzuar me njeri-tjetrin! Gëzuar festat”, deklaroi Nallbani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA