Analiza e DW: A mund të shihet G-20 si aleancë globale kundër urisë?

02/12/2024 09:16

Brazili i dorëzoi presidencën e G20 Afrikës së Jugut. Lufta kundër varfërisë globale e krizës klimatike mbetet gjithashtu e rëndësishme edhe presidencën afrikano-jugore.

A ka ende një emërues të përbashkët bashkësia ndërkombëtare? Lajmi i mirë është: po. Nisma e Aleancës Globale Kundër Urisë dhe Varfërisë, e inicuar së fundmi në samitin e G20 është një shembull i tillë. Përfaqësuesit e qeverive nga vendet më të rëndësishme të industrializuara dhe në ekspansion u takuan në samitin në Rio de Zhaneiro nga 18 deri më 19 nëntor pikërisht për këtë çështje. Bashkëpunimit të iniciuar nga Brazili i bashkohen 82 vende, BE-në dhe Bashkimin Afrikan.

Gjithashtu edhe 24 organizata ndërkombëtare, duke përfshirë Bankën Botërore dhe Organizatën e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), si dhe 31 organizata joqeveritare. Për projektin nuk duhet të ketë mungesë parash. Banka Ndërkombëtare për Zhvillim (BID) do të ofrojë rreth 25 miliardë dollarë për të avancuar projektet e prodhimit të ushqimit, programet e kompensimit social, ushqimet shkollore dhe mikrokreditë. Synimi është nxjerrja e 500 milionë njerëzve nga varfëria deri në vitin 2030.

Uria botërore turp për njerëzimin

Gjermania ishte një nga mbështetëset e parë të nismës. Ministrja e Zhvillimit, Svenja Schulze solli gjithashtu në këtë iniciativë edhe Aleancën për Sigurinë Globale të Ushqimit, e themeluar dy vjet më parë si pjesë e presidencës gjermane të G7-s atëkohë. Grupi joformal i vendeve të G20 është një nga forumet e pakta në të cilat përfaqësuesit e qeverive nga vendet me konflikt interesi ende takohen personalisht. I themeluar fillimisht në 2008 në përgjigje të krizës financiare të viteve 1990 në Azi, sot ky grup është një forum që bashkon veriun dhe jugun global, G7 dhe vendet BRICS.

Flavia Loss de Araujo, eksperte braziliane e marrëdhënieve ndërkombëtare, e konsideron të suksesshme presidencën e G20 të Brazilit, e cila do t’i kalojë Afrikës së Jugut më 1 dhjetor. “Brazili mori mbështetje për çështjet më të rëndësishme që propozoi: urinë dhe varfërinë, çështje që janë lënë pas dore gjithmonë nga vendet e pasura”, shkroi ajo në një kontribut për platformën online The Conversation, një forum për shkëmbimin akademik dhe gazetaresk.

“Shumë fonde për mbrojtjen dhe kthesën energjitike”

Në deklaratën përfundimtare të samitit, vendet e G20 pranuan se “bota prodhon më se mjaftueshëm ushqime për të zhdukur urinë”. Nuk mungojnë njohuritë se si do bërë kjo, por vullneti politik për të krijuar kushtet për akses më të mirë në ushqim”. Megjithatë, ekspertja e Amerikës Latine, Claudia Zilla nga Fondacioni Shkencë dhe Politikë (SWP) paralajmëron kundër pritshmërive të tepërta: “Për momentin, shumë para të vendeve të industrializuara po shkojnë drejt mbrojtjes dhe tranzicionit energjetik”, tha ajo për DW.

Tranzicioni energjitik dhe kriza klimatike u përmendën po ashtu në deklaratën përfundimtare të G20, por ato mbeten deklarata abstrakte. Shtetet “ritheksojnë” aty, se do të “kufizonin ngrohjen globale në 1.5 gradë” dhe njoftojnëm se “do të rrisnin financimin e klimës nga të gjitha burimet nga miliarda në trilionë”.

Duke pasur parasysh rezultatet jo shumë optimiste të konferencës së fundit të OKB-së për klimën në Baku, Brazilit i dalin tani shumë detyra përpara këtë çështje edhe pas përfundimit të presidencës së G20-ës. Sepse Konferenca e ardhshme e klimës, COP30, do të zhvillohet në Belém, Brazil, në nëntor të vitit 2025. Brazili do të marrë gjithashtu presidencën e vendeve të BRICS në vitin 2025.

Pasardhësja e Brazilit si drejtuese e radhës e presidencë së G20-s nga 1 Dhjetori, Afrika e Jugut ka të ngjarë të vazhdojë të trajtojë çështjenn e ndryshimeve klimatike gjatë presidencës së saj por me një fokus të ndryshëm. Sipas ekspertes së financave dhe borxhve, Magalie Masamba nga Universiteti i Pretorias, financimi i masave për mbrojtjen e klimës mund të lidhet, për shembull, me rritjen e madhe të borxheve të shumë vendeve në rajon.

Falje e borxheve për mbrojtjen e klimës?

“Shumë vende afrikane po përballen me një krizë serioze borxhi që kërcënon rritjen dhe zhvillimin ekonomik,” shkruan Masamba në një analizë për Institutin Studimor Afrikan, APRI. Kryesimi i G20 nga Afrika e Jugut është një mundësi unike për të lidhur iniciativat për lehtësimin e borxheve me arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) dhe masave të kushtueshme për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Kjo është e mundur vetëm me instrumente inovative financimi.

Kurse planet e favorizuara nga Brazili gjatë presidencës së G20 për një taksë minimale globale për super të pasurit, me të cilën të mund të financohen masat e mbrojtjes së klimës dhe programet sociale kundër urisë dhe varfërisë, ndoshta do të shfaqet vetëm në deklaratat përfundimtare.

Koordinatori i G20, Gustavo Westmann, përgjegjës për marrëdhëniet ndërkombëtare në zyrën presidenciale braziliane, është i kënaqur me hapat e vegjël: “Ne kemi arritur të vendosim taksimin e super të pasurve si një çështje që duhet trajtuar, por asgjë më shumë,” pranoi ai në një intervistë me DW. /DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA