Gjirokastra përveçse qyteti i fundjavave të historisë, trashëgimisë e kulinarisë dhe një qytet gati i mbipopulluar gjatë verës prej turizmit, është kthyer gjithashtu në një destinacion të turizmit gjithëvjetor për atmosferën që ofron mbrëmjeve, jetën e natës, koktejlet dhe muzikën.
Pazari historik vijoi të ofrojë ritëm të veçantë dhe produkte origjinale edhe përgjatë festave të Nëntorit.
” Sot ne organizojnë Cocktails Night 2 me rastin e festës së Pavarësisë por edhe një fundjavë më qytetin e gurtë. Këtë fundjavë fesrojmë me koktejle të mbrekullueshme nga një bartender prishtinas dhe super muzikë nga një DJ shkodran. Ftojmë të gjithë të rinjtë e Shqipërisë të frekuentojnë Gjirokastrën për të kaluar bukur festat e fundvitit”, tha Mal Koteli, organizator eventesh.
Bartenderi prishtinas Ideal Tarashniku që drejtoi një Cocktails night tha se u befasua nga pjesëmarrja dhe se eventet e mbrëmjes i shërbejnë çlirimit individual të atyre që marrin pjesë.
“Unë jam nga Gjakova. Na mbajnë për kopracë kështu që na bashkon diçka. Së dyti ne jemi rritur me frymën e çështjes kombëtare dhe 28 Nëntori e pjesa e lidhjes Kosovë-Shqipëri. Çeta e Çerçiz Topullit na motivoi të bëjmë diçka speciale. Sa i përket koktejleve ndoshta nuk i përshtatemi shumë sezonit por mundohemi ti përshtatemi pjesës së njerëzve. Përpiqemi që përmes pjesës së show-t njerëzit ta kalojnë monotoninë e të jenë pak më pozitivë”, Ideal Tarashniku, bartender.
Gjirokastra u bë arsye për tu larguar nga shtëpia edhe përgjatë festave të Nëntorit e kësaj fundjave të gjatë. Vizitorët shijuan atmosferën e mbrëmjeve, DJ-t, dhe spektaklin e ofruar jo vetëm për konsumatorët e alkoolit. Qëllimi sipas DJ Genti që erdhi nga Shkodra këtë fundjavë është zbavitja e të gjithëve. Dhe vizitorët e kanë shijuar shumë kombinimin e përzgjedhur.
” Unë sot kam ardhur posaçërisht nga Tirana për këtë festën e mrekullueshme këtu. Unë e adhuroj Gjirokastrën. Gjirokastra është për mua “the perfect escape place” për tu larguar nga rutina ime e përditshme. E dua këtë vend dhe atë që keni krijuar këtu sot”, tha një vizitor.
Gjirokastra pati këtë vit numra rekord vizitorësh dhe një sezon të lartë që vazhdoi deri në fund të tetorit. Aktualisht qyteti dhe rrethinat akomodojnë mjaft mirë të paktën 6 kategori të ndryshme klientësh duke u kthyer në një destinacion për të gjitha preferencat. Muaji nëntor i këtij viti shënoi dyfishin e vizitorëve të vitit të kaluar një tendencë kjo tërësisht e re falë përmirësimit të ofertës lokale.
Top Channel