Ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli njoftoi se furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit po kthehet në normalitet.
Rizvanolli ka shkruar në Facebook se ka filluar furnizimi me ujë në Mitrovicë të Jugut, Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.
Pas dëmeve që ka shkaktuar shpërthimi me eksplozivë, reduktime të ujit ka pasur edhe në Drenas, Fushë-Kosovë e Obiliq, por furnizimi me ujë pritet të normalizohet edhe në këto komuna.
“Furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist po kthehet në normalitet! Sot uji është lëshuar për në fabrikat e ujit të Drenasit dhe Shkabajt për trajtim dhe ka filluar furnizimi i rregullt i qytetarëve në Skenderaj. Brenda pak orësh pritet të normalizohet furnizimi për qytetarët e Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit!”, thuhet në postimin e saj.
Sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, reagoi sërish duke thënë se se autoritetet janë duke zhvilluar hetim për shpërthimin në veri të Kosovës.
Në konferencën për media të mbajtur të dielën, Vuçiç i ka hedhur poshtë akuzat e institucioneve të Kosovës se pas këtij sulmi qëndron Serbia.
Sipas tij, ka pasur një tentativë për sulm hibrid ndaj vendit të tij.
“Nuk kemi asnjë lidhje me këtë. Kemi disa dyshime, por hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar. Mendoj se kemi disa të dhënë për atë se kush mund ta ketë kryer këtë vepër”, ka shtuar Vuçiç.
Presidenti serb e ka akuzuar Policinë e Kosovës se nuk ka bërë hetim serioz në lidhje me rastin.
Top Channel