Mijëra të rinj demonstrojnë mbrëmjeve në rrugët e qyteteve të mëdha të Rumanisë kundër ekstremizmit dhe pro Europës. Mesazhet në rrjetet sociale të personaliteteve nga fusha të ndryshme janë: mos lejoni ta zhysni atdheun në humnerë.
Këta janë intelektualë, që bëjnë fjalë për tragjedinë më të madhe në historinë e re të vendit. Kjo është tema që dominon aktualisht në media.
Rumania pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale (24.11.2024) është në gjendje shoku. Në këtë raund fitoi nga hiçi me rreth 23 përqind Calin Georgescu i paparti: një ekstremist i djathtë glorifikues i Putinit, apolog i fashizmit rumun kristian-ortodoks të periudhës ndërmjet luftrave, një teoricien i teorive të konspiracionit dhe një njeri ezoterik që flet gjepura.
Të dielën (1.12.2024) në Rumani zhvillohen zgjedhjet parlamentare, e një javë pas tyre edhe balotazhi presidencial. Shumë në Rumani druajnë, se partitë e ekstremit të djathtë mund të fitojnë shumicën. E në fund një ekstremist i djathtë tifoz i Putinit mund të bëhet edhe president.
Kjo ta zhyste në kaos jo vetëm Rumaninë, por do t’i krijonte probleme të mëdha edhe BE-së dhe NATO-s. Rumania është vendi i gjashtë për nga madhësia në BE dhe partnerja më e rëndësishme e NATO-s në Europën Juglindore.
Aty janë të disolokuara stacioni i mbrojtjes nga raketat dhe bazat më të rëndësishme të aviacionit luftarak të rajonit. Një pjesë e rëndësishme e ndihmës ushtarake për Ukrainën kalon përmes Rumanisë. Gjithashtu ky vend shtrihet në Detin e Zi dhe ndodhet në rrugën nga kalojnë furnizimet ukrainase me drithëra. Ndaj rëndësia gjeopolitike e Rumanisë është shumë më e madhe se sa e shteteve si Hungaria apo Sllovakia, që qeverisen nga nacionalistët si Viktor Orban dhe Robert Fico, të cilët kanë devijuar prej konsensusit të BE-së dhe të NATO-s.
Jo një fatkeqësi e rënë nga qielli
Që në Rumani, një ekstremist i djathtë glorifikues i Putinit, i cili del me mesazhe kristiane si Mesias, fiton vota me shumicë, kjo nuk është një fatkeqësi e rënë nga qielli – historia e re këtij vendi ka plot tragjedi: Diktatori pro-fashist në kohën midis dy luftrave, Ion Antonescu, dhe diktatori megalloman Nicolae Çaushesku ndiqnin një kult të ngjashëm mesianik. Nën Çausheskun Rumania, krahas Shqipërisë, përjetoi diktakturën më të keqe në bllokun lindor.
Vetëm në Rumani më 1989 pati një ndryshim të përgjakshëm sistemi, me mbi njëmijë të vdekur gjatë trazirave. Dhjetë vjet më vonë, më 1999, Rumania gjatë kryengritjes së minatorëve ishte në prag të një lufte civile. Një vit më vonë ultranacionalisti dhe ish-punonjësi i Çausheskut Corneliu Vadim Tudor duke fituar në balotazh mori mandatin presidencial. Megjithatë ai u zgjodh si e keqja më e vogël kundrejt komunistit që ndryshoi kahun Ion Iliescu, i cili ishte bashkëpërgjegjës për të vdekurit pas rrëzimit të Çausheskut dhe më vonë themelues i partisë së emërtuar socialdemokrate, PDS, por që në fakt ishte parti populiste dhe nacionaliste.
Sondazhe jo bindëse
Tani Rumania ndodhet sërish përpara vendimit, nëse me zgjedhjen e ekstremistëve të djathtë do të ndjekë një rrugë më vehte ose jo. Në këto rrethana as që mund të flitet për normalitet. As që ndihet se ka zgjedhje parlamentare. Kjo edhe pse përpara zgjedhjeve presidenciale në asnjë sondazh nuk bëhej fjalë për sukses të Calin Georgescu – dhe sepse as tani nuk ka sondazhe të besueshme lidhur me preferencat për partitë.
Sipas parashikimeve të javëve të kaluara gjashtë parti mund të hyjnë në parlament: ato që deri tani kanë qeverisur bashkë me pseudo-socialdemokratët dhe nacional-liberalët e PNL, po ashtu disa parti ekstremiste të djathta, ndër to edhe aleanca për Bashkimin e Rumanisë (AUR) dhe S.O.S. Romania, si dhe partia progresiste-liberale Unioni Shpëtoi Rumaninë (USR) dhe partia e minoritetit hungarez, UDMR.
Fillimisht në sondazhe socialdemokratët arrinin në rreth 30 përqind, nacional-liberalët rreth 15 përqind. Tani kjo as që diskutohet, sepse kandidatët e të dyja partive, kryeministri Marcel Ciolacu (PSD) dhe kryetari i senatit Nicolae Ciuca (PNL) dështuan keq në zgjedhjet presidenciale dhe për këtë arsye që të dy dhanë dorëheqjen përkatësisht nga kryesimi i partive.
Partitë AUR dhe SOS Romania në sondazhet e deritanishme kanë pasur 25 deri në 28 përqind. Në zgjedhjet presidenciale ato së bashku arritën 38 përqind. Pas shokut të raundit të parë presidencial disa vëzhgues druajnë, se ekstremistët e djathtë mund të arrijnë mazhorancën parlamentare.
Një tjetër fituese në zgjedhje mund të jetë partia progresive-liberale USR, kandidatja e së cilës Elena Lasconi është në pozicionin e dytë në balotazhin presidencial më 8.12.2024 dhe ka shanse të mira të fitojë. Sipas sondazheve, USR deri tani ka një rezultat dyshifror të dobët, por mund të përfitojë nga dështimi i partive që kanë qeverisur deri tani.
“Establishmenti” i urryer
Në zgjedhjet parlamentare riskohet shumë më tepër se sa në ato presidenciale. Presidenti i Rumanisë ndonëse ka kompetenca të rëndësishme në politikën e jashtme dhe të sigurisë, ai nuk mund të marrë vendime pa parlamentin dhe qeverinë. Ndaj një president ekstremist i djathtë si Georgescu do të ishte një fatkeqësi për Rumaninë dhe skenari më i keq që mund të ndodhë është një mazhorancë parlamentare e ekstremit të djathtë.
Shumë zgjedhëse dhe zgjedhës në Rumani shohin tek këto parti ekstreme mundësinë për të larguar “establishmentin” e urryer. Që nga rrëzimi i Çausheskut vendi dominohet nga rrjetet klienteliste, që ndër të tjera janë grumbulluar tek partia e sotme socialdemokrate. Shumë në Rumani e konsiderojnë PSD si një sinonim të korrupsionit dhe nepotizmit. Por edhe reputacioni i ncacional-liberalëve, që tre vietet e fundit ka bashkëqeverisur me socialdemokratët, nuk është më i mirë. Kjo ka të bëjë me bllokimin që i bëjnë prej dekadash të dyja partitë, reformave themelore në administratën e shtetit dhe në drejtësi. Gjë që ka ngjallur urrejtjen e thellë në shoqëri ndaj këtij establishmenti.
Edhe presidenti në post prej dhjetë vjetësh Klaus Johannis ka përgjegjësinë e tij në këtë drejtim. Që nga viti 2014, Johannis u zgjodh duke premtuar se do të luftojë me vendosmëri për reforma radikale shtetërore dhe kundër korrupsionit. Por pjesën më të madhe të mandatit të tij ai ka qëndruar i tërhequr, edhe pse presidenti mund të influencojë ndaj ekzekutivit, përmes mundësive kushtutuese. Madje as ndaj zhvillimeve aktuale politike Johannis nuk ka reaguar deri tani.
Situata ndërlikohet ndërkohë edhe me udhëzimin e Gjykatës Kushtuetuese për të rinumëruar votat e raundit të parë presidencial. Kushtetuesja hyri në lojë pas ankesave për mashtrim elektoral dhe manipulim që ngritën dy kandidatë për president që dështuan në votime. Por praktika në Rumani ka treguar që rëndom Gjykata Kushtetuese përdoret për intriga politike. Kjo u duk edhe në tetor, kur një kandidate ekstremiste e djathtë për presidente u përjashtua, me sa duket për t’u mundësuar një rezultat më të favorshëm në zgjedhjeve socialdemokratëve në pushtet.
Se çfarë efekti do të ketë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, është e paqartë. Një gjë dihet: Në përgjithësi nga zgjedhjet parlamentare në Rumani mund të konturohen raporte të vështira politike, ku asnjëra parti të mos fitojë shumicën absolute. Meqënëse partitë e ekstremit të djathtë janë të përçara mes tyre, kjo mund të krijojë kaos në politikën e brendshme, nëse ato marrin shumicën. Nëse fitojnë progresiv-liberalët USR do të ishin të varur nga një partner koalicioni – e për këtë mund të shtrohet vetëm opcioni i ndonjërës nga partitë e establishemntit ose një qeveri e pakicës. Rumania ndodhet para kohësh të pasigurta.
Top Channel