Situatë e rënduar në Siri, forcat rebele marrin nën kontroll qytetin e dytë më të madh të vendit

30/11/2024 09:51

Forcat rebele në Siri kanë marrë nën kontroll shumicën e qytetit të dytë më të madh të vendit, Aleppo, sipas grupit monitorues me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR).

SOHR tha se më shumë se 300 njerëz – duke përfshirë më shumë se 20 civilë – janë vrarë që nga fillimi i ofensivës të mërkurën.

Ofensiva është më e madhja kundër qeverisë siriane ndër vite dhe hera e parë që rebelët që luftojnë forcat e presidentit Bashar al-Assad kanë arritur në Aleppo që kur u detyruan të largoheshin nga ushtria në vitin 2016.

Aeroporti i Aleppos dhe të gjitha rrugët që të çojnë në qytet janë mbyllur, thanë burime ushtarake për agjencinë e lajmeve Reuters.

Rebelët ishin në gjendje të kapnin “shumicën e qytetit” pa hasur rezistencë të konsiderueshme, tha SOHR herët të shtunën.

Më herët të premten, forcat qeveritare thanë se kishin rifituar pozicionet në një numër qytetesh në provincat Aleppo dhe Idlib, pas ofensivës së nisur nga HTS dhe fraksionet aleate të mërkurën.

Më shumë se gjysmë milioni njerëz janë vrarë në luftën civile që shpërtheu pasi qeveria shtypi protestat pro-demokratike në 2011.

Grupe të armatosura kundër qeverisë së Asadit – duke përfshirë xhihadistët – përfituan nga trazirat për të pushtuar një pjesë të territorit.

Qeveria siriane – me ndihmën e Rusisë dhe aleatëve të tjerë – më vonë rimori shumicën e zonave që kishte humbur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA