Rusia sulm masiv ndaj infrastrukturës energjetike në Ukrainë/ Miliona njerëz pa energji elektrike

28/11/2024 18:37

Zyrtarët ukrainas njoftuan se Rusia ka kryer një sulm “masiv” ndaj infrastrukturës energjetikë të Ukrainës, duke e goditur atë vend me 200 raketa dhe dronë, çka ka lënë miliona njerëz pa energji elektrike.

Forcat ukrainase pretendojnë se eliminuan 76 raketa dhe 32 dronë.

Sulmi i dytë i madh ajror ndaj rrjetit elektrik të Ukrainës në më pak se dy javë ka shtuar frikën se Kremlini synon të dëmtojë kapacitetet e prodhimit të energjisë, ndërsa po afron dimri.

Zyrtarë të energjetikës në Ukrainë thanë se sulmet ndodhën në të gjithë vendin të enjten, duke çuar në ndërprerje të energjisë në rang kombëtar.

Në disa rajone, raketat me municione thërrmuese ranë mbi objekte civile, njoftoi Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy. Ai tha se kjo “përbënte një përshkallëzim tinëzar” të luftës. Municionet thërrmuese lëshojnë bomba të shumta më të vogla në një zonë të gjerë, duke rrezikuar civilët si para dhe pas sulmit.

Autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar se Rusia po shton numrin e raketave të ndryshme me gjasë për një tjerë ofensivë ajrore kundër rrjetit energjetik të Ukrainës, përpara dimrit. Rreth gjysma e infrastrukturës energjetike të Ukrainës është shkatërruar nga sulmet ruse.

Putini njofton se mund të godasë objektet qeveritare të Ukrainës me raketën e re.

Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se Rusia mund të përdorë raketën e re hipersonike Oreshnik për të sulmuar objektet qeveritare në Kiev, në përgjigje të sulmeve të Ukrainës me raketa perëndimore ndaj territorit rus.

Gjatë luftës 33 mujore Rusia nuk ka goditur ministritë, godinën e parlamentit apo ndërtesën presidenciale.

Ukraina është fuqimisht e mbrojtur nga sistemet ajrore, por presidenti rus thotë se raketa Oreshnik është aq e shpejtë sa nuk mund të eliminohet, pretendim që shihet me skepticizëm nga ekspertët perëndimorë.

Presidenti i Ukrainës, Zelenskiy ka deklaruar se përdorimi i raketës së re nga Rusia përbën “një përshkallëzim të qartë dhe të ashpër” të luftës dhe ka bërë thirrje që zyrtarët ndërkombëtare të dënojnë përdorimin e saj./ VOA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA