Me himnin e flamurit ka filluar mbrëmja festive e organizuar në Galerinë e Arteve të Bukura nga Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Selanik, me rastin e Ditës Kombëtare të atdheut, ndërsa ka pasuar një koncert i mrekullueshëm me tinguj të muzikës lirike shqiptare.
Ndjenja e atdhedashurisë si dhe respekti për luftën dhe përpjekjet e popullit shqiptar për liri e pavarësi, nuk harrohen kurrë dhe mbahen gjallë në vite ka theksuar Konsullja e Përgjithshme në fjalimin e saj para dhjetëra bashkatdhetarëve, pjesëtarë të shoqatave të komunitetit shqiptar të këtij qyteti si dhe nga gjithë Greqia e Veriut.
“Ideja ishte ta sillnim Shqipërinë nëpërmjet artit , nëpërmjet fjalës, nëpërmjet muzikës, në një shtëpi të artit siç është Galeria e Arteve të Bukura në Selanik dhe kjo nga artistë shqiptarë që e kanë ndërtuar gjithë karrierën e tyre në këtë qytet dhe jo vetëm, sepse janë të njohur në të gjithë Greqinë”, tha Erida Dobrushi.
Të ftuar në mbrëmjen festive kanë qenë edhe përfaqësues të lartë të trupave diplomatike, atashe ushtarakë, biznesmenë grekë, miq dhe dashamirës të Shqipërisë.
“Jam shumë i gëzuar të festojmë bashkë me ju Ditën tuaj Kombëtare. Ne jemi kombe miq, dhe falenderojmë Shqipërinë për mbështetjen që i jep Ukrahinës”, u shpreh Shkvyra Yevhen, Konsull i Përgjithshëm i Ukrainës në Selanik.
Të pranishëm në aktivitet, edhe personalitete të shquara të jetës politike e shoqërore greke si dhe përfaqësues të autoriteteve vendore që kanë dhënë urimet më të mira për festën kombëtare të Shqipërisë.
“Duhet të forcohen lidhjet mes nesh. 60.000 shqiptarë jetojnë vetëm në bashkinë e Selanikut dhe 110000 në gjithë prefekturën . Pra rritemi të gjithë bashkë, jemi të gjithë bashkë, jetojmë të gjithë bashkë”, tha Efi Theodhoraki, zv/kryetare e Bashkisë së Selanikut.
Mbrëmja është pasuruar edhe me ekspozitën e veçantë të disa prej punimeve të piktorit Foti Kllogjeri.
Top Channel