Presidenti Joe Biden tha të martën se një armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut të Libanit do të hyjë në fuqi mëngjesin e së mërkurës, pasi të dy palët pranuan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca.

Njoftimi i Presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë erdhi menjëherë pasi kabineti izraelit i sigurisë miratoi marrëveshjen në një votim 10-1. Presidenti Biden tha se kishte biseduar me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe Kryeministrin libanez, Najib Mikati.

Marrëveshja ofron një mundësi për t’i dhënë fund një konflikti që ka shkaktuar mijëra të vrarë që nga rindezja e luftimeve pas fillimit të luftës në Gazë një vit më parë.

Gjatë një fjalimi me këtë rast në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Biden tha se marrëveshja ishte hartuar për të sjellë një ndërprerje të përhershme të armiqësive. Presidenti amerikan tha se luftimet ndërkufitare mes Izraelit dhe Hamasit do të përfundojnë në orën 4 të mëngjesit, sipas orës lokale.

“Është hartuar për t’u dhënë fund armiqësive në mënyrë të përhershme. Ajo çka ka mbetur nga Hezbollahu dhe organizata të tjera terroriste nuk do të lejohet që të kërcënojnë përsëri sigurinë e Izraelit”, tha Presidenti Biden.

Izraeli do të tërheqë trupat gradualisht brenda një periudhe dymujore, ndërsa ushtria libaneze merr kontrollin e territorit pranë kufirit me Izraelin për t’u siguruar që Hezbollahu të mos rindërtojë infrastrukturën e tij atje, tha Presidenti Biden.

“Popullsia civile në të dy anët e kufirit së shpejti do të jetë në gjendje të kthehet e sigurte në shtëpitë e tyre”, tha ai.

Si qeveria libaneze ashtu edhe Hezbollahu kanë këmbëngulur se kthimi i civilëve të zhvendosur në Libanin jugor është parim kyç i armëpushimit.

Ministri i Jashtëm i Libanit, Abdallah Bou Habib, tha më herët se ushtria libaneze do të dislokonte rreth 5,000 trupa në pjesën jugore të vendit pas largimit të trupave izraelite.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u shpreh më herët se ishte i gatshëm të zbatonte një marrëveshje armëpushimi dhe do t’i përgjigjej me forcë çdo shkeljeje nga Hezbollahu, duke deklaruar se Izraeli do të kishte “liri të plotë veprimi ushtarak”.

Ai tha se armëpushim do t’i lejonte Izraelit që të përqendrohet në kërcënimet nga Irani, të rrisë rezervat e dobësuara të armatimeve dhe t’i japë ushtrisë kohë për të pushuar dhe izoluar Hamasin në Gazë.

Koordinatorja Speciale e Kombeve të Bashkuara për Libanin, Jeanine Hennis-Plasschaert, e mirëpriti marrëveshjen e armëpushimit përmes një deklarate, duke përgëzuar palët “për shfrytëzimin e mundësisë për të mbyllur këtë kapitull rrënues”./Voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA